Nga Basir Çollaku
Nga data 11 shkurt, pasi më 10 shkurt 2025 është arrestuar në zyrë, Erion Veliaj nuk ka qenë në detyrë për të ushtruar funksionin e kryebashkiakut, pasi ishte i arrestuar. Pra, më 11 maj 2025, ditën e zgjedhjeve parlamentare, plotësoheshin 3 muajt e mospranisë në zyrë. Por pas më tepër se 7 muajsh e 10 ditësh, socialistët shohin se është plotësuar tremujori ligjor i një vendimi të kërkuar sipas përcaktimeve të ligjit për qeverisjen vendore. Kush i verboi ekipin super-rilindas të numëronte e kryente detyrën? Si ndodhi që 7-ta të dukej si 3-sh?! Ndërkohë, këshilltarët e PD-së kishin kërkuar prej kohësh atë që Rama urdhëroi bashkiakët e tij këshilltarë, të votonin me pahir. Veliaj ndodhet nën akuzën e Prokurorisë së Posaçme për korrupsion e shpërdorim detyre, në raste të shumta. Po përse Rama vjen me këto trashje ngjarjesh duke ofruar vendime sipas zileve të stomakut për raste të ndryshme?
Në Bashkinë e Tropojës, kryetari dhe nënkryetari, Rexhë Byberaj dhe Abedin Kërnaja, u vendosën nën masën e arrestit shtëpiak më 9 shtator 2024, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe dëm prej afro 2.8 milionë euro nga veprimet e mosveprimet e tyre. Pas afro 11 muajsh dërgimi të dosjes në gjyq, më 1 gusht 2025, gjykata shuan masën e sigurisë, arrest shtëpie, duke vendosur detyrim paraqitjeje për të dy zyrtarët lokalë, një herë në muaj. Sigurisht aty është dora e Gjokës Irenë të partisë, e gatshme të çojë në fund këshillat e udhëheqjes, ku ajo tashmë var shpresat e qëndrimit në atë karrige. Sepse për të ka nisur hetimi për shumë telashe penale. Po Rama dhe këshilltarët e tij, nuk e konstatuan se për 11 muaj kryetari Byberaj nuk gjendej në detyrë? Nuk arritën pas tre muajsh të kërkojnë shkarkimin, ashtu siç ligji për qeverisjen vendore përmend në përcaktimet e tij?!! Si u rrëshkiti tremujori duke mos vënë re se në zyrë mungonte kryetari i bashkisë?!
Kur shkarkohet një kryebashkiak?
Ligji nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, neni 62, parashikon dispozitat se kur shkarkohet një kryebashkiak.
“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.”
Beteja në Gjykatën Kushtetuese do të jetë seria vijuese e përballjes së dy vëllezërve të Soros, ku njëri është në qeli. Përpjekjet për ta bindur për dorëheqje deri të martën, nuk do të shkrepin nëse Rama nuk hyn në pazar për pjesën familjare të dosjes “Veliaj”, duke ofruar bonus lehtësirash edhe për bashkiakun. Kjo në fazën ku janë aktet hetimore dhe mbikëqyrja e re ndaj SPAK kërkon dallavere të madhe. Ndaj zgjedhjet në Tiranë i vendos më shumë Veliaj se Rama. Paçka se servilët e tij të djeshëm u ylberizuan sot si servilë të KM brenda natës.
Por ka edhe shembuj ramistë ndryshe. Më 6 korrik 2021, Struktura e Posaçme ngriti akuzë dhe arrestoi kryetarin e Bashkisë së Lushnjes. Një ditë më vonë, sevdalliu i drejtësisë shkarkoi Tushen. Askush nuk u ankua. Dihet takati politik dhe sekretet e pamjaftueshme për ta vënë shefin në trysni vonese. Por Veliaj dhe Byberi kanë më shumë. Kryebashkiaku i Tropojës ka dekoruar si qytetar nderi të korruptuarin e Ramës, agjentin e FBI-së tashmë të burgosur për punë të pandershme, Charles McGonigal. Një individ përfitues e dëmsjellës për shqiptarët. Natyrisht, e gjitha kjo nën shoqërinë e ndikimin e personit A të dosjes amerikane, si një ndërmjetës me kryeministrin, ku dreka e dekoratës ka peshën e kallauzit. Janë mjaft sekrete në atë tryezë rakie dhe askush nuk do të shpërthejë. Por PD mundet dhe duhet. Veliaj gjithashtu, mes shumë të fshehtash, ka edhe episode jo të pakta me Charles apo Xhorxh e Aleks Soros, tutorin e përbashkët edhe me Ramën. Madje edhe ky, thonë haberet, nga sekëlldia po flirton me rakinë në qeli. Avuj dynjaja. Si të padënuar me formë të prerë të arrestuar e të pandehur kanë në duar instrumenta ankimues ligjorë, duke ia bërë shefit të qeverisë malore, pastrimin e pretenduar të rrugës. Ndërsa opozita, PD, në të dyja rastet, duhet të kishte ushtruar presion të vazhdueshëm si për Veliajn, ashtu edhe për Byberjan, si dhe të ishte e gatshme për të garuar për zgjedhje të pjesshme në gjashtë bashkitë ku prej muajsh drejtojnë satelitët e diellëzat e Ramës.