Nga Klevis Bakillari
Diella, e prezantuar si një “ministre” virtuale e ngarkuar me prokurimet publike, është përkthimi më i qartë i zgjedhjes strategjike të qeverisë: teknologjia si mjet për të çuar përpara narrativën e reformës dhe luftës ndaj korrupsionit, po dhe si instrument për të thyer dinamikat e opozitës. Qëllimi zyrtar është i qartë: prokurime “100% të lira nga korrupsioni” dhe administratë transparente. Por realiteti politik nuk ndryshohet vetëm me një avatar; ai riformatohet me rregulla, kontrolle institucionale dhe besim publik.Elementë që Diella duhet t’i fitojë, jo t’i deklarojë.
Në një skenë ku opozita është e kapur nga nostalgjia ‘berishiste’ dhe nga logjika patriarkale e liderit, prezantimi i një zgjidhjeje teknologjike forcon narrativën qeveritare se “ndryshimi vjen nga veprime praktike”, një premtim që rezonon lehtë tek qytetari i lodhur nga pazaret dhe tenderët e përflakur. Por nuk duhet të harrojmë se një sistem AI nuk është imun ndaj manipulimeve institucionale: kodet, parametrat, auditimi, kontrolli i të dhënave dhe heterogjeniteti i interesave njerëzore përbëjnë pika ku politika ende vendos. Kështu, Diella mund të jetë mjet transparence ose fasadë reklamash politike, në varësi të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe pavarësisë reale që do t’i vendosen.
Për opozitën, ky moment është më shumë se një sfidë retorike: është një test strategjik. Nëse opozita mbetet e kyçur në ritualin e berishizmit — duke kërkuar “gjilpërën e doktorit” në kashtë — ajo rrezikon të dalë historikisht jashtë rolit. Kundërshtimi i vërtetë nuk mund të jetë vetëm refuzim i teknologjisë. Duhet projekt alternativ institucional, kod etik për përdorimin e AI-së, oferta konkrete për reformimin e prokurimeve dhe platforma elektronike që ofrojnë auditues të pavarur.
Çfarë duhet të bëjë opozita reale? Së pari, të dalë nga shishja e berishizmit dhe të ndërtojë një narrativë që flet për zgjidhje, jo vetëm për dëshmi të së shkuarës. Së dyti, të kërkojë mekanizma ligjorë dhe teknikë për rregullimin, auditimin dhe apelimin e vendimeve që merr një sistem si Diella,dhe të këmbëngulë për pavarësi institucionale të organeve që e mbikëqyrin. Së treti, të përdorë teknologjinë si fushë beteje: për transparencë, përfshirje qytetare, dhe për kontroll social mbi tenderët,jo vetëm si objekt kritike. Kjo do të thotë të kapitalizojë ankthin qytetar ndaj korrupsionit, jo vetëm të bëjë deklarata nostalgjike.
Figura e berishizmit mbetet realitet ideologjik dhe psikologjik por një qeveri që investon në simbole teknologjike dhe në një avatar të quajtur Diella ndryshon rregullat e lojës. Në vend të trembjes automatike, duhet të kërkojnë rregulla se: kush programon Diellën, kush auditon kodin, si garantohet konkurrenca e drejtë, dhe si mbrohen të dhënat e qytetarëve? Pa këto, teknologjia bëhet skenografi e një teatri politik, jo reformë thelbësore. Hapin teknologjik nuk e ndalojme dot me gardhe politike. Shqipëria ka nevojë për një debat të pjekur mes teknologjisë dhe llogaridhënies, dhe ky debat duhet të zhvillohet tani, jo pas skenografisë.
Në mungesë të kësaj, “opozita artificiale”, një variant i ri dhe i menaxhuar nga AI, rrëzikon të mbushë vakumin.