Ballina Kronika DURRES/ 42-vjeçari u merrte me dhunë varëset e floririt nga qafat e...

DURRES/ 42-vjeçari u merrte me dhunë varëset e floririt nga qafat e shtetaseve, arrestohet nga policia

48
0

Finalizohet operacioni policor i koduar “Medalioni”

U merrte me dhunë në rrugë varëset e floririt nga qafat e shtetaseve të ndryshme; identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Zbardhen dhe dokumentohen tre raste, ku 42-vjeçari u merrte me dhunë varëset e floririt nga qafat e shtetaseve.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes me dhunë të këtij shtetasi, pasi dyshohet se ka kryer edhe vjedhje të tjera.

Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, njëra nga varëset e marra me dhunë nga ky shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe pas kallëzimeve të bëra nga disa shtetase për vjedhje me dhunë të varëseve të floririt, intensifikuan veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe profesionale të kryera, u bë e mundur zbardhja e tre rasteve të denoncuara dhe identifikimi i autorit të dyshuar të këtyre rasteve.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Medalioni”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. R., 42 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Ky shtetas:

më datë 21.08.2025, rreth orës 09:30, në lagjen nr. 12, dyshohet se i ka marrë me forcë varësen e floririt shtetases L. T.;

më datë 10.09.2025, në të njëjtën lagje, duke kaluar vijat e bardha, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varësen shtetases Sh. M.;

më datë 15.09.2025, dyshohet se i ka marrë me dhunë varësen e floririt shtetases O. A.

Gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, varësja e shtetases O. A.

Vijon puna për gjetjen e varëseve të tjera, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”.