Ballina Sport Gnabri rikthen besimin, Kompani i mahnitur nga Nojeri

Gnabri rikthen besimin, Kompani i mahnitur nga Nojeri

23
0

Serxh Gnabri është në vitin e fundit të kontratës së tij dhe më në fund është rikthyer në nivelin që e bëri lojtar të kombëtares.Manuel Nojer nuk është më lojtar i kombëtares, por vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer pothuajse në moshën 40- vjeçare. Konferenca për shtyp e Bajernit para ndeshjes kundër Hofenhajmm ishte pothuajse e qetë.

Asnjë pyetje për transferimet, asnjë për Uli Hoenes apo Maks Eberl, dhe vetëm një në fund për fillimin e Oktoberfest-it. Por vetëm “pothuajse”. Sepse deri para pak kohësh, Serxh Gnabri shihej ende si një kandidat për tu shitur, ndërsa tani drejtori sportiv Kristof Frojnd pritet të shpjegojë se kur do të hyjë në negociata për kontratën me ndërkombëtarin gjerman. Kontrata e 30-vjeçarit skadon në fund të qershorit 2026. Ai ka luajtur për Mynihun që nga viti 2018 dhe ishte një nga lojtarët kyç në triumfin e Ligës së Kampionëve në vitin 2020. Megjithatë, vitet që pasuan u karakterizuan më shumë nga uljet sesa ngritjet, me problemet e shumta fizike që shpesh e kanë ngadalësuar sulmuesin.

“Serxh është vërtet i gatshëm sërish dhe ka një cilësi të jashtëzakonshme. Është kënaqësi ta shohësh duke luajtur,” e lavdëroi Frojnd, duke shtuar se lojtari gjithashtu ka një “karakter të shkëlqyer” dhe është i rëndësishëm për skuadrën edhe jashtë fushës: “Qëllimi ynë për muajt e ardhshëm është që ai të qëndrojë i shëndetshëm,” tha Frojnd, duke shtuar se gjithçka tjetër do të vij më pas. Pavarësisht ngritjes së formës, Bajerni duhet të vlerësojë jo vetëm këtë sezon, por edhe vitet që vijnë. Gnabri me shumë gjasë do të duhet të pranojë një ulje page nëse të dyja palët janë të interesuara të vazhdojnë bashkëpunimin. Në Bundesligë, ai ka grumbulluar dy gola dhe dy asistime në tre javët e para.

Përshtypja e Kompanit që kur punon me Nojerin: “Ai po bëhet më i mirë çdo javë.” Kjo me gjasë edhe sepse është i shëndetshëm dhe pushon mjaftueshëm pa kombëtaren. “E ndjen që ai transmeton qetësi, por megjithatë është 100 për qind i përqendruar,” tha Kompani, duke shtuar se është një përzierje e mirë. Në fillim të karrierës, siç është Lenart Karl aktualisht, dhe në fund, nuk ka presion. Por kush e njeh Nojerin, e di: presionin ai ia vendos vetes. Ai dëshiron të vazhdojë të fitojë. Dhe nëse do të tërhiqet në fund të sezonit, kjo është ende larg së qeni e vendosur.