Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, organizon ciklin kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”. Një retrospektivë filmash të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve ’70–’90, të cilët do të shfaqen nga shtatori deri në nëntor si pjesë e programit publik të kinemasë.
Mbrëmë, në një atmosferë të ngrohtë dhe me pjesëmarrje të lartë të publikut, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë, ambasadorëve dhe anëtarëve të trupit diplomatik, u çel në ambientet e Kino Armata në Prishtinë cikli kulturor “Netët e Filmit Shqiptar” – një nismë që bashkon përmes artit dhe kujtesës së përbashkët, shkruan observer.
Ceremonia e hapjes u prit me entuziazëm dhe interes të madh nga audienca, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë të publikut në Kosovë me kinematografinë shqiptare. Mbrëmja u hap me filmin klasik “Përrallë nga e Kaluara”, si një homazh për mjeshtrin Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta pak kohë parë, por vazhdon të jetojë përmes veprës së tij.
– Ky projekt është një bashkëpunim mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, me synimin për të ndarë dhe promovuar trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore.
Kujtojmë se gjatë javëve në vijim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë disa nga veprat më të spikatura të kinemasë shqiptare, si:
* Koncert në vitin 1936 – Saimir Kumbaro (8 – 9 tetor 2025)
* Vdekja e Kalit – Saimir Kumbaro (29 – 30 tetor 2025)
* Kur xhirohej një film – Fehmi Hoshafi (3 – 4 nëntor 2025)
* Kapedani – Fehmi Hoshafi & Muharrem Fejzo (12 – 13 nëntor 2025)
Hyrja është falas dhe të gjitha shfaqjet janë të hapura për publikun, me një fokus të veçantë tek të rinjtë dhe nxënësit e shkollave, të cilët do të kenë mundësinë në shfaqet e dedikuara ekskluzivisht për ta që të lidhen me trashëgiminë historike të kinematografisë sonë, në gjuhët tonë të ëmbël shqipe.
“Netët e Filmit Shqiptar” është aktivitet i mirëfilltë i diplomacisë kulturore në veprim – një diplomaci që ndërton ura përmes kujtesës, krijimtarisë dhe vlerave tona të përbashkëta kombëtare.