Ballina Politika Rama: Universitet të ri mjekësor në Fier, inteligjencë artificiale në shëndetësi

Rama: Universitet të ri mjekësor në Fier, inteligjencë artificiale në shëndetësi

83
0

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se qeveria synon të hapë një universitet të ri mjekësor në Fier, duke e shoqëruar këtë nismë me ngritjen e një spitali ekselence, i cili do të shërbejë jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për të mbështetur turizmin shëndetësor, sidomos gjatë sezonit veror.

Rama theksoi se janë në zhvillim diskutime me një kompani të njohur britanike në fushën e inteligjencës artificiale (AI) për shërbimet shëndetësore, me qëllim modernizimin e sistemeve mjekësore në vend.

“Nuk duhet t’i vendosim asnjë kufi ambicies. Jetojmë në një kohë kur teknologjia është bekim për vendet si yni. Na takon të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe t’i mbështesim me investimin e duhur për të pasur sukses,” – u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se edhe pse teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë mjete të rëndësishme për përshpejtimin e progresit, edukimi dhe specializimi i lartë i mjekëve mbetet i pazëvendësueshëm.

Kryeministri foli gjithashtu për thellimin e autonomisë spitalore, si dhe për hapjen e sistemit shëndetësor ndaj mjekëve të rinj dhe profesionistëve të huaj, në mënyrë që Shqipëria të mund të përballojë kërkesat në rritje dhe të garantojë shërbime cilësore.