Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit në Shtetet e Bashkuara votoi për të ndaluar rekomandimin që të gjithë të rriturit të vaksinohen kundër Covid-19. Vaksina deri më tani ishte rekomanduar zyrtarisht për shumicën e amerikanëve çdo vit që nga pandemia.
Por dozat e zakonshme tashmë nuk janë me një rekomandim rutinë, edhe për personat me rrezik më të lartë nga virusi, siç janë njerëzit mbi 65 vjeç.
Komiteti vendosi që ata mund ta marrin vendimin e tyre pasi të konsultohen me një profesionist të fushës së mjekësisë. Më parë në maj, qeveria federale ndaloi rekomandimin e vaksinave kundër Covid-19 për gratë shtatzëna dhe fëmijët e shëndetshëm.
Në dy ditë takimesh, komiteti ndryshoi gjithashtu rekomandimet e tij mbi vaksinën e kombinuar kundër fruthit, shytave, rubeolës, varicelës dhe shtyu planet për një votim mbi vaksinën e hepatitit B.
Megjithatë ata vendosën të miratojnë dy vaksina të ndara – një të kombinuar për fruthin, shytat dhe rubeolën, dhe një tjetër për varicelën. Shoqata Mjekësore Amerikane, e cila përfaqëson mjekët dhe studentët e mjekësisë, tha se rekomandimet e reja për këto vaksina i lënë prindërit të paqartë për hapat që duhet të ndërmarrin.
Sekretari i Shëndetësisë Robert F Kennedy Jr, një skeptik ndaj vaksinave, shkarkoi të 17 anëtarët e komitetit në qershor dhe zgjodhi me kujdes pasardhësit e tyre, duke shkaktuar trazirë në komunitetin mjekësor.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetit kanë kritikuar vënien në pikëpyetje të sigurisë dhe efikasitetit të një numri vaksinash nga sekretari i shëndetësisë, megjithëse në seancën e konfirmimit të tij në Senat ai tha se nuk do i ndalojë vaksinat.