Ballina Europë Vjedhje në spitalin onkologjik në Itali/ Medikamentet eksperimentale me vlerë 800 mijë...

Vjedhje në spitalin onkologjik në Itali/ Medikamentet eksperimentale me vlerë 800 mijë euro zhduken nga farmacia

0
12

Medikamente onkologjike eksperimentale me një vlerë prej 800.000 euro janë vjedhur të enjten (por lajmi është bërë i ditur vetëm tani) nga farmacia e spitalit onkologjik Pascale, në zonën Rione Alto. Përveç dëmit ekonomik, siç thekson drejtori i përgjithshëm, Maurizio di Mauro, dëm janë pësuar edhe pacientët, për të cilët vazhdimësia e terapisë është thelbësore.

Për vjedhjen po heton karabinieria; sipas informacioneve të bëra publike, spitali është i pajisur me kamera sigurie, të cilat mund të jenë të dobishme për identifikimin e përgjegjësve. Di Mauro thekson se vazhdimësia terapeutike do të garantohet gjithsesi për pacientët.

«Nuk ndalemi përballë kriminalitetit dhe poshtërsisë së atyre që përfitojnë nga situata dhe rrethana të caktuara për të shkaktuar dëm, duke ndjekur interesat e tyre personale, ndaj pacientëve veçanërisht të brishtë», u shpreh di Mauro.

Vjedhja e barnave ka zhytur të gjithë spitalin në dëshpërim. Janë vjedhur kryesisht antikorpë monoklonalë dhe barna eksperimentale, por jo vetëm. Kriminelët kanë marrë edhe disa medikamente të destinuara për trajtimin e melanomës uveale. Bëhet fjalë për produkte që duhet të ruhen në frigorifer në temperaturë të kontrolluar. Pikërisht për këtë arsye dyshohet se personat që kanë kryer vjedhjen i përkasin një organizate të aftë për të menaxhuar siç duhet këtë lloj materiali.