Ballina Kuriozitete 10 vjet më parë, valët gravitacionale ndryshuan astronominë. Zbulimi i ri tregon...

10 vjet më parë, valët gravitacionale ndryshuan astronominë. Zbulimi i ri tregon se ka ende surpriza

16
0

Dhjetë vjet më parë, shkencëtarët dëgjuan për herë të parë “dridhjen” e universit. Ky zbulim i parë i valëve gravitacionale vërtetoi një parashikim kyç të teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit dhe hapi një epokë të re në astronomi.

Tani, një zbulim i ri i valëve gravitacionale shënon këtë përvjetor. I botuar në Physical Review Letters, ai teston një teori të një gjeniu tjetër të shkencës, Stephen Hawking.

Çfarë janë valët gravitacionale?

Valët gravitacionale janë “valëzime” në hapësirë-kohë që udhëtojnë me shpejtësinë e dritës. Ato shkaktohen nga objekte shumë masive dhe të përshpejtuara, si bashkimi i vrimave të zeza ose përplasja e yjeve neutronikë.

Këto valëzime u vunë re për herë të parë me 14 shtator 2015 nga dy detektorët binjakë LIGO në SHBA. Sinjali i parë, GW150914, erdhi nga dy vrima të zeza, secila mbi 30 herë më masive se Dielli dhe mbi një miliard vite dritë larg. Ky ishte një provë e drejtpërdrejtë e ekzistencës së valëve gravitacionale, saktësisht siç e kishte parashikuar Ajnshtajni një shekull më parë. Ky zbulim çoi në Çmimin Nobel në Fizikë të vitit 2017.

Qindra sinjale për më pak se një dekadë

Që nga viti 2015, janë zbuluar mbi 300 valë gravitacionale nga LIGO, Virgo në Itali dhe KAGRA në Japoni.

Një bashkëpunim ndërkombëtar, ku marrin pjesë edhe shkencëtarë australianë, ka njoftuar një sinjal të ri, GW250114. Ky sinjal është pothuajse identik me zbulimin e parë GW150914, por falë përmirësimeve në detektorë është parë shumë më qartë, pothuajse katër herë më “i fortë”.

Edhe Hawking kishte të drejtë

Më shumë se 50 vjet më parë, Stephen Hawking formuloi “teoremën e sipërfaqes”: sipërfaqja e horizontit të ngjarjeve të një vrime të zezë nuk mund të zvogëlohet kurrë. Vrimat e zeza nuk mund të tkurren.

Saktësia e sinjalit GW250114 u dha shkencëtarëve mundësinë të bënin testin më të saktë të kësaj teoreme deri tani. Duke matur masat dhe rrotullimin e vrimave të zeza para bashkimit dhe duke i krahasuar me vrimën e zezë përfundimtare, ata konfirmuan se sipërfaqja ishte rritur, ashtu siç parashikohej.

Testet e mëparshme me GW150914 kishin treguar përputhje, por nuk ishin dot përfundimtare. Kjo matje e re e vërteton ligjin e Hawking-ut. Në të ardhmen, vëzhgimet e valëve gravitacionale do të testojnë teori edhe më ekzotike dhe mund të ndihmojnë në hetimin e materies dhe energjisë së errët, pjesët ende të pazbuluara të universit.