Ballina Ekonomia Banka e 5222 varieteteve, si ruhen dhe trashëgohen farat

Banka e 5222 varieteteve, si ruhen dhe trashëgohen farat

17
0

Inventari Kombëtar i Farave Autoktone, që ruhet në Bankën Gjenetike Kombëtare, përfshin një total prej 5,222 varietete. Nga këto, 4,120 lloje mbahen si fara, duke përfshirë specie të ndryshme si perimet, leguminozet, drithërat, bimët mjekësore dhe aromatike, bimët industriale, bimët foragjere etj.

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (Banka Gjenetike Shqiptare) në një intervistë për “Monitor” shpjegoi se farat më të vjetra shqiptare janë kryesisht ato të grurit, misrit e fasules, që kanë mbi 100 vite që kultivohen në Shqipëri. Ja sfidat dhe mundësitë që ka trashëgimia e farave autoktone.

A ka Shqipëria një bankë gjenetike për ruajtjen e farërave vendase? Si funksionon ajo?

Banka Gjenetike Shqiptare u krijua në vitin 1998 me mbështetjen financiare të USAID, SHBA dhe me asistencën teknike të Universitetit të Misisipit dhe Qendrën e Konservimit në Kolorado, SHBA.

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (Banka Gjenetike Shqiptare) ka si funksion kryesor eksplorimin, grumbullimin, studimin, identifikimin, ruajtjen e aftësive jetësore dhe integritetit gjenetik të materialeve gjenetike, ripërtëritjen e materialit gjenetik për ruajtje afatgjatë, dokumentimin e të dhënave në databazën e Inventarit Kombëtar, sistemin e informimit të aksesueshëm mbi ruajtjen afatgjatë dhe përdorimin e qëndrueshëm të gjermoplazmës bimore.

Kujdeset për dublikatat e shpëtimit (brenda dhe jashtë vendit), shumëzimin dhe shpërndarjen e gjermoplazmës për mbështetjen e përmirësimit të bimëve dhe përdorimit të qëndrueshëm të resurseve gjenetike të bimëve për ushqimin dhe bujqësinë në Shqipëri.

Banka gjenetike, si një bankë kombëtare, ruan një gamë të gjërë speciesh bimore. Meqenëse një nga objektivat e saj madhore është konservimi për shumë kohë, ruajtja e gjermoplazmës bëhet në kushtet e ruajtjes afatgjatë.

Banka gjenetike ruan gjermoplazmën (materiale farash në frizëra / dhomë të ftohtë dhe materiale vegjetative me rritje ex situ të bimëve në koleksionet fushore). Banka Gjenetike kryen aktivitetet duke realizuar procedura të ndryshme, të cilat bëjnë gjermoplazmën më të dobishme për fermerët dhe shkencëtarët e tjerë.

Jetëgjatësia e farërave varet nga cilësia fillestare e farës, përmbajtja e lagështisë dhe temperatura gjatë ruajtjes. Në përgjithësi, përmbajtja e ulët e lagështisë dhe temperaturat e ulëta paksojnë humbjen e aftësive jetësore të farës.

Ruajtja bëhet në 3 forma:

1 – Ruajtje afatgjatë (përfshihen koleksionet bazë). Koleksioni bazë ku përdoren temperatura që variojnë në – 20°C, përmbajtja e lagështisë është nga 3-7%, materialet gjenetike ruhen për më shumë se 50 vite (deri në 30, 50 dhe 100 vite).

2 – Ruajtje afatshkurtër dhe e mesme (përfshihen koleksionet aktive). Koleksioni aktiv ku përdoren temperatura nga 4-5°C, përmbajtja e lagështisë në 3-7%, materialet gjenetike ruhen për më shumë se 10 vite.

3 – Ruajtje vegjetative (përfshihen koleksionet fushore). Koleksioni fushor është një koleksion i bimëve të gjalla (pemët frutore, hardhi, ulliri dhe bimët mjekësore e aromatike).

Cilat janë disa prej varieteteve autoktone më të vjetra ose më të rrezikuara në Shqipëri?

Banka Gjenetike mban mjaft mostra të ndryshme gjermoplazme me interes aktual ose potencial, për njerëzit që punojnë me resurset gjenetike (seleksionerë, fermerë, prodhues farash, qendra bujqësore, kërkues, etj.), të cilat janë koleksionuar në të gjithë vendin.

Bimët që ruhen përfshijnë specie të rëndësishme ekonomike për ushqimin dhe bujqësinë (varietete tradicionale – landrace, kultivarë primitivë dhe modernë, si dhe të afërm të egër të tyre), bimë të pemëve frutore, foragjere, mjekësore dhe dru frutorë.

Inventari Kombëtar i Farave Autoktone, që ruhen në Bankën Gjenetike Kombëtare, përfshin një total prej 5,200 varietetesh dhe 220 speciesh.

Nga këto, 4,120 mbahen si fara, duke përfshirë specie të ndryshme si perimet, leguminozet, drithërat, bimët mjekësore dhe aromatike, bimët industriale, bimët foragjere etj. nën ruajtje afatgjatë në Bankën Gjenetike Kombëtare dhe 1,100 lloje ruhen si koleksione të pemëve frutore në fushë (749 ruhen në bankën gjenetike kombëtare dhe 273 në QTTB e Vlorës dhe 93 lloje në QTTB e Korçës).

Inventari Kombëtar i Resurseve Gjenetike të Bimëve është i dokumentuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe i publikuar në Rrjetin Europian të Resurseve Gjenetike (EURISCO). Të gjitha seksionet që ndodhen në bankën gjenetike kanë një pasaportë të caktuar, e cila identifikon me një kod unik të caktuar çdo specie.

Marrëveshjet dhe lejet e pranimit: Mostra duhet të pranohet nga koleksionuesit, bankat gjenetike ose burime të tjera me material të përshtatshëm ose me marrëveshje dhe leje pranimi në përputhje me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me konservimin, shpërndarjen dhe përdorimin e resurseve gjenetike.

Për t’u pranuar në bankën gjenetike, mostrat duhet të shoqërohen me informacion të mjaftueshëm të pasaportës, veçanërisht emri i kultivarit, numri i koleksionimit, gjinia dhe specia, vendndodhja e pikës së koleksionimit, vendi i origjinës, data e koleksionimit, fenologjia, burimi i koleksionimit.

Farat më të vjetra shqiptare janë kryesisht ato të grurit, misrit e fasules, që kanë mbi 100 vite që kultivohen në Shqipëri.

Përcaktimi i origjinës së varieteteve ose i futjes së tyre në Shqipëri është bërë mbi bazën e dokumentacionit ekzistues, të publikimeve të bëra nga kërkuesit, si dhe të kritereve ndërkombëtare për emërtimin varietetet “autokton”, “tradicional” ose “varietet i fermerit”.

Shumë varietete mbajnë emrat e fshatrave ku janë kultivuar më herët ose për një periudhë më të gjatë. Kultivimi i tyre ose përdorimi i qëndrueshëm, është ruajtja më e mirë dhe e sigurt. Megjithatë, vetëm një numër i kufizuar i varieteteve aktualisht kultivohen ose ka interes për t’u përhapur në prodhim.

Në Bankën Gjenetike Shqiptare ka disa bimë të rralla, që janë ruajtur për të mbajtur gjallë dhe për të ruajtur karakteristikat e tyre për përfitime të njerëzimit dhe mjedisit në të ardhmen.

Chervili (Anthriscus cerefolium): Një perime aromatike e rrallë në Shkodër, e njohur edhe si majdanozi francez. Emri “chervil” vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë “gjethet e gëzimit”.

Gruri i Qabesë (Trigonella foenum-graecum): Kjo specie e rrallë u gjet në fshatin Arrëz, të Komunës Miras. Është një bimë njëvjeçare e familjes Fabaceae, me gjethe të harkuara deri të zgjatura.

Dardha: Për shqiptarët, dardha përfaqëson hijeshinë dhe bukurinë femërore. Emri “dardhë” rrjedh nga emri Ilir “darda” dhe ka lidhje me fisin Ilir të Dardanisë .

Misri “Farë Sulova”: Kjo krahinë në Qarkun e Elbasanit është njohur për misrin e saj me të njëjtin emër, misri “Sulova”.

Banka Gjenetike Shqiptare mban koleksione me materiale bimore për të siguruar që këto bimë të rralla të ruhen dhe përdoren në të ardhmen .

Cilat janë sfidat më të mëdha në ruajtjen dhe rigjenerimin e këtyre varieteteve?

Menaxhimi i resurseve gjenetike bimore është një sfidë e rëndësishme për të siguruar që kjo pasuri të ruhet dhe përdoret me efikasitet:

Ndryshimet klimatike vazhdimisht kërcënojnë diversitetin gjenetik të bimëve. Menaxhimi duhet të fokusohet në ruajtjen dhe përmirësimin e këtij diversiteti për t’u përshtatur ndaj kushteve të ndryshme.

Për të menaxhuar efektivisht resurset gjenetike, është e rëndësishme të njohim karakteristikat dhe vlerën e materialeve bimore. Dokumentimi i mirë siguron që të kemi informacion për përdorimin e tyre në të ardhmen.

Eksplorimi dhe koleksionimi i resurseve gjenetike janë sfida të tjera. Kërkuesit dhe institucionet duhet të zbulojnë dhe të grumbullojnë materiale të rralla për të ruajtur diversitetin gjenetik.

Menaxhimi i resurseve gjenetike është një përpjekje e përbashkët për të siguruar që bimët të jenë të disponueshme dhe të përdorshme për brezat e ardhshëm.

Banka gjenetike rigjeneron farat e specieve të ndryshme për dy qëllime, së pari për plotësim të sasive të farave në ruajtjen afatgjatë në bankë.

Së dyti, për plotësim nevojash minimale të kërkueseve, studentëve dhe fermave agro-turistike me sasi të vogla fare autoktone, për fermat agro-turistike preferohet porosia dhe mbështetja e tyre.

A bashkëpunoni me institucione ndërkombëtare për kërkime mbi farërat autoktone?

Po. Njohja e aktivitetit të IRGJB në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë është siguruar nëpërmjet pjesëmarrjes në programet europiane ECPGR (The European Cooperative Programme for Plant Genetic Resources), EURISCO (European Search Catalogue for Plant Genetic Resources), SESTO dhe programet nga FAO, IPGRI.

Kërkuesit e QRGJ marrin pjesë në shumicën e grupeve të punës të ECPGR.

Në shkurt të vitit 2023, ne kemi nënshkruar marrëveshje ndërmjet Institutit të Resurseve Gjenetike Bimore (IRGJB) dhe Ministrisë Mbretërore të Norvegjisë të Bujqësisë dhe Ushqimit lidhur me depozitimin e farave në Arkën Globale të Farave në Svalbard, ku kemi dërguar deri tani disa mostra farërash për ruajtje të sigurt në Depozitën e Farave në Svalbard në Norvegji me 1,900 koleksione (afërsisht 50%) nga specie të ndryshme si: misri me 700 lloj, fasule 190 lloje, grurë 710 lloje dhe perime të ndryshme 300 lloje.

Ndërkohë, ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale do të ndikojnë mbi biodiversitetin në përgjithësi dhe mbi atë bimor në veçanti. IRGJB do të ndikojë më tepër për të përmirësuar strategjinë e ruajtjes dhe përdorimit të resurseve gjenetike bimore.

Speciet dhe varietetet e reja duhet të sigurojnë ushqimin për një popullsi me të madhe në të ardhmen. Ato duhet t’u përshtaten kushteve të reja klimatike, por edhe mbrojtjes nga shfaqja e sëmundjeve dhe dëmtueseve të rinj.

Banka Gjenetike do të përmirësojë metodikat dhe sidomos teknologjitë për vlerësimin e diversitetit gjenetik. Do të përdoren metoda të reja dhe instrumente të rinj për studimin e bashkëveprimit gjenotip x mjedis.

Për këtë qëllim do të zgjerohet bashkëpunimi me departamentet e tjera të UBT, që zotërojnë kapacitete dhe mund të kryhen studime të përbashkëta të tilla si ruajtja në fermë dhe in situ do të zbatohen në mënyrë komplementare me ruajtjen ex situ. Do të bashkëpunohet me përmirësuesit gjenetikë dhe do të mbështeten programet e tyre.

A ka ndonjë skemë subvencioni ose program zhvillimi për promovimin e këtyre farërave në treg?

Në dijeninë tonë janë disa programe që aktualisht po veprojnë, por kjo nuk e limiton mundësinë që në të ardhmen të ketë më shumë:

Programet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: Skema e granteve dhe pagesave direkte për bujqësinë e vitit 2025 janë aktivë aktualisht nga qeveria bujqesia.gov.albujqesia.gov.al. Edhe pse nuk punohet specifikisht për farë autoktone, këto skema mbështesin prodhimin bujqësor dhe mund të aplikohen për kultivime tradicionale.

Programi IPARD III (2021 2027): Ofron mbështetje për projekte me vlerë të shtuar (si bio dhe tradicionale), përfshirë investime në certifikim, ambalazh dhe marketing bujqesia.gov.al.

GIZ (Gjermania) angazhohet me mbështetje në projekte biodiversiteti dhe traditë lokale në Ballkan, dhe ka ndërmarrë nisma të ngjashme me modelet në Kosovë dhe Shqipëri.

Si mund të sigurohet që farërat autoktone të mos zëvendësohen nga ato hibride ose të importuara?

Në Shqipëri, disa varietete si dredhëza e Divjakës, qepa e Beratit, dhe misri i Zi i Kukësit janë ruajtur në fermat model të mbështetura nga projekte të huaja, si FAO apo GIZ.

Por duhet një kuadër ligjor që mbron resurset gjenetike vendase dhe ndalon importin e paautorizuar të farërave dhe regjistrimi i kultivarëve autoktonë në Regjistrin Kombëtar të Varieteteve Bujqësore.

Vetëm farërat e certifikuara dhe të regjistruara të lejohen për shitje dhe mbjellje. Duhet të bëhet identifikimi dhe kontrolli laboratorik i farërave për të garantuar autenticitetin e tyre, ndërsa ligji mund të parashikojë ndëshkime për ndërhyrje të paligjshme në biodiversitetin bujqësor.

P.sh. në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ekziston një Regjistër i Varieteteve Autoktone dhe janë vendosur moratoriume të përkohshme për përdorimin e farave hibride në disa zona tradicionale për të shmangur përzierjet.

Nevojitet trajnim dhe ndërgjegjësim për fermerët dhe institucionet lokale. Shumë fermerë nuk janë të ndërgjegjshëm për pasurinë gjenetike që zotërojnë dhe mund të parapëlqejnë fara hibride për prodhim të shpejtë.

Krijimi i një kulture të mbrojtjes dhe promovimit të farave autoktone kërkon edukim të qëndrueshëm.

Nevojiten fushata informimi në media lokale dhe kombëtare për rëndësinë e farërave vendase, manuale dhe udhëzues për identifikimin, mbledhjen dhe ruajtjen e varieteteve dhe trajnime për agjentët e zgjatjes bujqësore dhe bashkitë për përfshirjen e këtyre farërave në planet e zhvillimit lokal.

Në disa zona të Shqipërisë, projektet e GIZ dhe CNVP (dikur USAID), kanë organizuar “Dita e Farës Tradicionale” ku fermerët shkëmbejnë fara, prezantojnë produkte tradicionale dhe marrin trajnime mbi ruajtjen dhe certifikimin.

Cilat janë sfidat për futjen e tyre në treg si produkte me vlerë të shtuar (bio, artizanale, tradicionale)?

Shumica e fermerëve shqiptarë punojnë në sipërfaqe të vogla (më pak se 1 ha), të shpërndara në parcela të fragmentuara. Kjo e bën prodhimin jo vetëm të ulët në sasi, por edhe jokonkurrues për tregje më të mëdha ose të strukturuara.

Si rrjedhojë nuk sigurohet volumi i kërkuar nga tregjet ose eksporti. Fermerët e vegjël shpesh nuk kanë mjaftueshëm sasi për të mbuluar kostot e marketingut, përpunimit apo certifikimit dhe bëhet e vështirë standardizimi i cilësisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve.

Si zgjidhje e mundshme shihet kooperativizimi në grupe të përbashkëta për prodhim dhe tregti. Platforma dixhitale të përbashkëta për shitje direkte.

Projekte si “Inkubatorët ruralë” ose “fermat model” që grumbullojnë prodhimin nga fermerë të vegjël.

Produktet tradicionale autoktone zakonisht shiten në mënyrë të paorganizuar, në tregje fshatare, rrugë, ose nëpërmjet ndërmjetësve informalë. Këta të fundit shpesh ushtrojnë presion për çmim të ulët.

Fermeri nuk merr vlerën reale të produktit të tij dhe produktet shpesh humbasin origjinën dhe identitetin kur kalojnë në duar të shumta tregtare, duke krijuar vështirësi për të ndërtuar një “brand” lokal apo rajonal të njohur.

Zgjidhjet shihen në krijimin e rrjeteve të dyqaneve të produkteve autoktone në qytete. Etiketim me origjinë gjeografike të mbrojtur (p.sh. “Misri Sulova”, “Molla e Dibrës”) dhe mbështetje për shitje online, përfshirë përmes faqeve të tregtisë elektronike shqiptare.

Nga ana tjetër, produktet bio ose tradicionale kërkojnë standarde strikte për të cilat shumica e fermerëve nuk janë as të informuar dhe as të certifikuar.

Pa certifikim nuk mund të eksportohen ose të tregtohen në dyqane të specializuara. Produkti nuk perceptohet si me “vlerë të shtuar”, edhe pse është realisht cilësor. Pa identitet të dallueshëm tregtar (emërtim, paketim, logo, histori), nuk krijohet besnikëri konsumatori.

Si zgjidhje shihen programe trajnimi dhe bashkëpunim me organizata certifikuese (Bioinspecta, Albinspekt etj.); ii) Mbështetje për paketim dhe marketing nga projekte si GIZ, FAO, apo IPARD dhe ndërtimi i një marke kombëtare për produktet autoktone shqiptare, me mbështetje qeveritare dhe ndërkombëtare.

Produktet artizanale kërkojnë më shumë kohë, përkujdesje dhe kanë rendiment më të ulët sesa varietetet hibride ose industriale.

Në mungesë të mbështetjes financiare, kostot bien mbi fermerin. Shumë fermerë të vegjël heqin dorë nga kultivarët tradicionalë për të kaluar te prodhimi intensiv, teksa mungesa e subvencioneve të drejtpërdrejta i bën të pambrojtur në tregun e lirë.

Nëse nuk arrijnë të fitojnë nga produktet e tyre, fermerët e braktisin tokën ose e zëvendësojnë me varietete të huaja.

A ka rrezik që disa varietete autoktone të zhduken përfundimisht?

Po, rreziku është real dhe shumëdimensional: Kufizimi i bankave të farërave dhe i mbjelljes eksperimentale.

Shqipëria ka një numër të kufizuar institucionesh që ruajnë materiale gjenetike (p.sh. IRGjB). Bankat ekzistuese shpesh kanë fonde të kufizuara, staf të pakët dhe kapacitete të pamjaftueshme për të mbuluar të gjithë spektrin e varieteteve autoktone.

Shumë prej varieteteve nuk janë as të dokumentuara shkencërisht, as të ruajtura në formë të sigurt.

Një kultivar që nuk ruhet në formë të kontrolluar (si fara ose bimë) mund të humbasë përfundimisht pas një sezoni të vetëm të dështuar.

Nëse mbjellja e varieteteve autoktone nuk mbështetet nga shteti, apo projektet ndërkombëtare, ato zhduken pa lënë gjurmë.

Disa varietete të vjetra të elbit dhe grurit që përdoreshin në zonat alpine të Veriut nuk janë më të aksesueshme për prodhim.

Fermerët shpesh zëvendësojnë farërat tradicionale me farë hibride të huaja që japin rendiment më të lartë ose piqen më shpejt. Kjo sjell ndërthurje të paqëllimshme gjenetike ndërmjet varieteteve autoktone dhe atyre hibride, duke çuar në humbje të tipareve origjinale (p.sh. ngjyrë, shije, rezistencë natyrore).

Pas disa brezash mbjelljeje të pandërprerë me fara hibride, varieteti autokton “tjetërsohet” ose zhduket nga përzierja, nuk ka më “pastërti varieteti”, ndaj as ruajtja dhe as certifikimi nuk është i mundur.

P.sh. speci autokton i “Ballshit” është përzier në shumë zona me speca hibridë të ardhur nga Maqedonia e Veriut ose Turqia

Shumë familje fshatare janë shpërngulur drejt qyteteve ose jashtë vendit, duke lënë pas toka të papunuara; Tokat bujqësore tradicionalisht të mbjella me varietete autoktone mbeten djerrë ose shndërrohen në ndërtim, kullota ose pyje.

Procesi i ndërprerjes së mbjelljes për disa vite radhazi është mjaftueshëm i dëmshëm për mbijetesën e varieteteve. Mungesa e trashëgimisë brez pas brezi e njohurive bujqësore për kultivimin e këtyre varieteteve i dëmton edhe më shumë.

P.sh. fasulja tradicionale “e Lurës”, dikur e famshme për cilësinë e saj, sot është e vështirë të gjendet për shkak të braktisjes së zonës dhe mungesës së trashëgueshmërisë.

Ndryshimet në stilin e jetesës (ushqime të përpunuara, dieta të huaja, standarde të reja tregu) kanë ulur kërkesën për produkte tradicionale. Metodat tradicionale të ruajtjes së farës, përpunimit dhe përgatitjes së produkteve janë duke u harruar.

Pa përdorim në kuzhinë, pa treg dhe pa zinxhir vlerash që ta mbështesë, varieteti autokton humbet interesin dhe qëllimin. Disa produkte (si “mishi i thatë i rrushit” apo “bukë misri me qiqra”) humbasin përdorimin dhe për pasojë, edhe lëndët e para që lidhen me to.

Lloje të vjetra të mollës së egër (si “molla e thatë e Gollobordës”) janë zhdukur nga përdorimi dhe nuk njihen nga brezat e rinj.

Si mund të angazhohen më shumë të rinjtë në kultivimin dhe përpunimin e varieteteve autoktone?

Angazhimi i të rinjve duhet të bëhet nëpërmjet përfshirjes në trajnime për kultivimin e varieteteve vendase, për të garantuar sukses, si në njohuri dhe praktikë profesionale. Kjo duhet të bëhet duke marrë nisma në arsimin profesional dhe shkolla.

Familjarizimi me mënyrat e ruajtjes së këtyre resurseve bimore dhe nxitje për përdorimin e qëndrueshëm të RGJB

Të njihen me rëndësinë ekonomike, kulturore dhe historike të varieteteve tradicionale dhe vlerat e tyre për të sotmen dhe të ardhmen.

Cilat janë planet afatgjata të Ministrisë për farat autoktone?

Ruajtja e materialeve gjenetike me vlerë kombëtare.

Ruajtja dhe rigjenerimi i farave elitë dhe super-elitë të grurit, misrit dhe koleksioneve frutore autoktone, për të siguruar qasje të qëndrueshme ndaj sfidave të sigurisë ushqimore dhe ndryshimeve klimatike.

Përhapja përmes demonstrimeve në ferma: Përfshirja e fermerëve në testime fushore të varieteteve autoktone, për të rritur njohjen dhe përdorimin praktik të tyre në zinxhirin ushqimor.

Angazhimi për të përfshirë çështjen e farave autoktone në politikat afatgjata bujqësore dhe për të harmonizuar kornizën ligjore me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke krijuar mundësi për eksport dhe zhvillim ekonomik.

Nxitja e bashkëpunimeve mes fermerëve, prodhuesve të farave, operatorëve të agroturizmit dhe sektorit gastronomik, për të transformuar farat autoktone në vlerë të shtuar për prodhimin dhe turizmin rural.

Në thelb, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon për të mbrojtur trashëgiminë bujqësore shqiptare, duke e kthyer biodiversitetin autokton në mundësi zhvillimi ekonomik dhe krenari kombëtare – farë pas fare, pjatë pas pjate./Monitor.al