Kryeministri britanik Sir Keir Starmer pritet të shpallë këtë të diel njohjen zyrtare të shtetit palestinez, në një deklaratë që do të bëhet publike pasditen e sotme.
Kjo lëvizje përbën një ndryshim të thellë në politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, pasi qeveritë e mëparshme kishin mbajtur qëndrimin se njohja e shtetit palestinez duhet të ndodhte vetëm si pjesë e një procesi paqeje dhe në një moment me ndikim maksimal diplomatik, raporton BBC.
Deklarata vjen pas paralajmërimeve që Starmer kishte bërë në muajin korrik, kur tha se Britania do të ndryshonte qëndrimin e saj në shtator, nëse Izraeli nuk do të përmbushte disa kushte, përfshirë pajtimin me një armëpushim në Gaza dhe angazhimin për një proces të qëndrueshëm paqeje që do të çonte drejt zgjidhjes me dy shtete.
Ky vendim ka nxitur kritika të ashpra nga qeveria izraelite, nga familjarët e pengjeve që ndodhen në Gaza, si dhe nga disa deputetë konservatorë britanikë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar më herët këtë lëvizje si një akt që “shpërblen terrorizmin”.
Burime qeveritare britanike thonë se situata në terren në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit, me imazhe të rënda të urisë dhe dhunës, të cilat Starmer i ka përshkruar si “të padurueshme”.
Ministrat kanë theksuar se vendi ka një përgjegjësi morale për të vepruar, për të mbajtur gjallë shpresat për paqe dhe për të dërguar një sinjal të qartë për nevojën e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez.