Ballina Rajoni Dita e 7-të e grevës e babait që humbi djalin në tragjedinë...

Dita e 7-të e grevës e babait që humbi djalin në tragjedinë e Tempit, 55 sindikata në mbështetje të tij

21
0

Sot në orën 18:30 në Sheshin Syntagma në Athinë do të mbahet një protestë solidariteti në mbështetje të Panos Ruçit dhe kërkesës së tij për zhvarrosjen dhe riekzaminimin e trupit të të birit, Denis Ruçi, një nga 57 viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi.

Panos Ruçi ndodhet në ditën e shtatë të grevës së urisë, ndërsa thirrjes së tij për drejtësi i janë bashkuar më shumë se 55 sindikata dhe organizata nga e gjithë Greqia, përfshirë Federatën Panhelenike të Punonjësve të ERT dhe shoqata të ndryshme të punonjësve nga shumë fusha. Familjarët e viktimave kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët mbështetëse, ku shprehin indinjatën për mungesën e përgjigjes nga institucionet dhe theksojnë se kërkesa e Panos Ruçit për zhvarrosje është e drejtë, njerëzore dhe e domosdoshme për të zbuluar të vërtetën.

Ata theksojnë se është e padrejtë që humbja e 57 jetëve të konsiderohet një vrasje nga pakujdesia, ndërkohë që sipas tyre, shumë prova të rëndësishme janë lënë jashtë dosjeve hetimore me qëllim dhe se kompania Hellenic Train ka operuar trenat pa masat bazë të sigurisë. Familjarët denoncojnë gjithashtu ekzistencën e marrëveshjeve të dyshimta mes kompanive të transportit për qarkullimin e lëndëve djegëse në mënyrë të paligjshme, çka sipas tyre ka çuar në shpërthimin dhe djegien e 25 prej 57 viktimave të aksidentit. Ata theksojnë se zhvarrosja dhe riekzaminimi i trupave është i nevojshëm për të verifikuar shkeljet e mëdha në procesin hetimor dhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën që deri tani është fshehur. Nga ana tjetër, qeveria greke ka refuzuar të ndërhyjë në këtë çështje, me zëdhënësin Pavlos Marinakis që ka deklaruar se kush kërkon ndërhyrjen e qeverisë, kërkon në fakt që ajo të ndërhyjë në drejtësi, duke shtuar se çështja i përket vetëm sistemit gjyqësor.

Ndërkohë, Panos Ruçi dhe familja e tij kanë marrë mbështetje të plotë nga liderët e partive opozitare të majta, përfshirë SYRIZA, Nea Aristera dhe PASOK, të cilët i janë bashkuar thirrjes për transparencë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Protesta e sotme në Sheshin Syntagma pritet të ketë pjesëmarrje të lartë nga qytetarë të thjeshtë, familjarë të viktimave, sindikata dhe organizata të ndryshme, të cilët do të ngrejnë zërin për drejtësi dhe për respektimin e të drejtave të viktimave dhe familjeve të tyre.