Bashkia e Hasit vijon të jetë Meka e gazetarëve anglez, kjo pasi mijëra hasianë emigruan në Britaninë e Madhe prej vitit 1998.
Gazetarja e reportazheve në The Sun, Grace Macaskill ka udhëtuar drejt fshatit Golaj me 4.000 banorë për të cilin në shkrim thotë se 60% e banorëve tashmë jetojnë në Angli.
Thekson në shkrim të cilit i referohet Top Channel, se Golaj nuk ka eksportuar vetëm emigrantë të cilët me punë të ndershme në Angli sigurojnë jetesën por edhe persona të përfshirë në krimin e organizuar, siç janë katër kushërinjtë me mbiemrin Dauti.
Sulejman Brati pronari një dyqani të vogël në Golaj ka thënë për The Sun se vetëm pak banorë vendas hyjnë në dyqanin e tij çdo ditë, ndërkohë që ai përpiqet me vështirësi të mbledhë para sa për të jetuar.
67-vjeçari është i detyruar të mbështetet në ndihmat që i dërgojnë dy djemtë e tij, për të cilët pranon se jetojnë ilegalisht në Britani .
Një banor i Golajt i tha gazetës The Sun: “S’ka më gangsterë këtu, janë të gjithë në Angli.”
Në fakt, dy nga “eksportet” e Golajt janë vëllezërit që u dëbuan nga Britania pasi Agjencia Kombëtare e Krimeve — NCA versioni britanik i FBI-së, i akuzoi si figura kryesore në një rrjet të krimit të organizuar.
Edhe pse zyrtarisht punonin në ndërtim dhe pastrim, Isuf dhe Fation Dauti jetonin në luks — shpenzonin para për rroba firmato në Harrods, ngisnin makina luksoze si Bentley dhe jetonin me qira 2,700 paund në muaj në lagjen Chelsea.
“Nuk është për t’u habitur që të rinjtë shqiptarë tërhiqen nga krimi, kur familjet e dëshpëruara krenohen për “sukseset” e fëmijëve të tyre në Britani, pa bërë shumë pyetje se nga vjen ajo para”-thuhet në reportazhin e The Sun.
Avoli Brati, 34 vjeç, thotë se gjashtë nga dymbëdhjetë anëtarët e familjes së tij jetojnë tani në Britani, pasi kaluan ilegalisht.
Vëllai i tij, Festim Brati, 42 vjeç, pagoi 6,000 paund për të hyrë në Britani para 11 vitesh, duke u fshehur poshtë sediljes së një kamioni, ndërsa një vëlla tjetër ishte fshehur nën mushama në çati.
Edhe pse shumë shqiptarë nga Hasi krenohen për punët e ndershme që bëjnë, lidhjet me bandat kriminale dhe trafikun e drogës janë të njohura.
Megjithëse hynë ilegalisht, Isuf dhe Fation Dauti fillimisht u lejuan të qëndronin pasi u martuan me gra nga vende të BE-së — Letonia dhe Bullgaria. Sipas informacioneve të NCA-së në vitin 2021, Fationi, 40 vjeç, ishte pjesë e një bande shqiptare që merrej me drogë, trafik njerëzish dhe pastrim parash, dhe u cilësua si “rrezik për sigurinë kombëtare.”
Isufi, 33 vjeç, thuhet se mori një rol më aktiv në rrjetin kriminal pas largimit të vëllait të tij nga Britania.
Fationi në Shqipëri ishte personi që shkelmoi derën e selisë të PD kur kjo forcë politike drejtohej prej Lulëzim Bashës.
Kushërinjtë e tyre Alket dhe Kujdesi Dauti po nga fshati Golaj, janë dënuar nga drejtësia belge për trafik njerëzish nga Belgjika drejt Anglisë. Disa ditë më parë kryeprokuroria e Kukësit Griselda Haxhiaj, çoi në gjykatë dhe iu pranua kërkesa për sekuestrimin e tre pronave në Tiranë, të Fation Dautit pas një kërkese ardhur nga autoritetet britanike.