Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqinë Qendrore, ku një grua 62-vjeçare u zbulua se kishte fshehur vdekjen e nënës së saj. Mediat vendase raportojnë se 62-vjeçarja kishte varrosur fshehurazi trupin e pajetë t1% nënës së saj vetëm për të vazhduar të përfitonte pensionin dhe pagesën e paaftësisë së saj.
Sipas mediave greke, gruaja, e cila punonte si menaxhere në një Qendër Shëndetësore të Edukimit (KEP), i ka treguar policisë se nëna e saj, 91 vjeç, vuante nga probleme serioze të lëvizshmërisë dhe kishte ndërruar jetë në shtëpi në verën e vitit 2023, nga shkaqe natyrore.
Përballë vështirësive financiare, ajo vendosi të mos raportonte vdekjen, por ta fshihte trupin dhe të vazhdonte të merrte përfitimet ekonomike të të ndjerës.
Hetimet zbuluan se gruaja kishte varrosur trupin e nënës në një stallë pranë shtëpisë, me ndihmën e një burri të huaj, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik. Që nga ai moment, askush nuk e kishte parë të moshuarën në fshat, gjë që ngriti dyshime mes fqinjëve dhe autoriteteve, duke çuar në një kallëzim në prokurorinë e Tebës.
Të shtunën, 62-vjeçarja tentoi të mashtronte autoritetet duke prezantuar një tjetër grua të moshuar, e sëmurë, si nëna e saj. Por nën presionin e hetimeve, ajo pranoi krimin dhe tregoi se ku kishte fshehur trupin e së ëmës.
Në prani të një oficeri gjyqësor, u krye një zhvarrim, ku u gjet një skelet njerëzor i mbuluar me çarçafë, duke konfirmuar versionin e saj.