Olivia Rodrigo kritikoi ashpër vendimin e ABC për të pezulluar emisionin e Jimmy Kimmel këtë javë, duke e cilësuar si “censurë të hapur dhe abuzim me pushtetin”.
Ish-ylli 22-vjeçar i Disney foli të shtunën në mbështetje të prezantuesit të njohur të talk-show-ve të natës, duke u bashkuar me radhët e personazheve të famshëm që dolën në mbrojtje të tij.
Rodrigo ripostoi deklaratën e SAG-AFTRA-s në lidhje me pezullimin e Jimmy Kimmel Live! dhe shtoi: “Jam shumë e mërzitur për këtë censurë të hapur dhe abuzim me pushtetin. Unë mbështes Jimmy Kimmel dhe mbështes lirinë e fjalës.”
Vendimi i ABC-së vjen pas komenteve të Kimmel lidhur me aktivistin konservator Charlie Kirk, ndërsa ai do të rikthehet së shpejti në televizion pas pezullimit “për një kohë të pacaktuar”.
Olivia ka nisur karrierën e saj në industrinë e argëtimit me rol kryesor në serialin e Disney+, High School Musical: The Musical: The Series, në vitin 2019, dhe më pas u fokusua në karrierën muzikore, shkruan DailyMail.
Ajo ka qenë gjithashtu aktive politikisht, duke mbështetur publikisht Kamala Harris dhe përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për vaksinimin kundër COVID-19.
Së bashku me mbështetjen e Rodrigos, prezantues të tjerë si Jimmy Fallon dhe Stephen Colbert kanë folur hapur për pezullimin e Kimmel.
Fallon e quajti Kimmel “djalë të mirë, qesharak dhe të dashur”, ndërsa Colbert e përshkroi vendimin si “censurë flagrante” ndaj satirës politike.
Shumë komentues dhe artistë të njohur shprehen se pezullimi i emisionit të Kimmel është një shembull shqetësues i ndërhyrjes së jashtme dhe i kontrollit mbi lirinë e fjalës në media.