Estrada Profesioniste e Elbasanit feston sot 70-vjetorin e themelimit.
Ajo është një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës qytetare, që premierën e saj të parë e dha në vitin 1955.
Pjesa më e rëndësishme e estradës ishin aktorët e regjisorët e saj. Në vite, njihet kontributi i aktorëve dhe këngëtarëve që ngjitën në skenë humorin, këngën dhe muzikën popullore, mes tyre Hysen Biza, Rustem Serica, Marie Dhamo, si dhe orkestrantë të njohur si Gori Shuteriqi, Hysen Shehu, Rifat Çaushi, e Ismail Bedhija.
“Estrada Profesioniste e Elbasanit mbetet një simbol i traditës, humorit dhe kulturës, duke ruajtur gjallë emocionin e parë të vitit 1955. Në kuadër të këtij jubileu, më datë 1 tetor do të organizohet Festivali i Teatrove, ku Elbasani do të mirëpresë trupa dhe artistë nga e gjithë Shqipëria, por edhe trupa teatrore të huaja”, u shpreh drejtori i Teatrit “Skampa”, Kliton Kapaj.
Estrada e Elbasanit ka qenë për dekada një vatër arti e gjallë, që lindi talente, edukoi publikun dhe u bë një pikë referimi për jetën kulturore të qytetit.