Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka qenë këtë të hënë në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ku ka vizituar pasuesin e Ulsi Manjës, Besfort Lamallari.
Është vetë ky i fundit që ndan pamje nga vizita në zyrën e tij dhe thotë se me Altin Dumanin kanë ndarë prioritetet respektive për Programin e Qeverisë 2025-2029.
“Mirëprita sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Z. Altin Dumani”, shkruan Lamallari, teksa shton “Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe vijimi i mbështetjes për Reformën në Drejtësi mbeten prioritet absolut i qeverisë shqiptare!”
Ministri i Drejtësisë, që deri në marrjen e detyrës së re pak ditë më parë shërbente si zëvendësministër i Brendshëm, shkruan se shteti i së drejtës është themeli i Shqipërisë Europiane.
“Ndava me të prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Shteti i së Drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane”, përmbyllet reagimi.







