Qeveria shqiptare do të emetojë obligacione ekskluzivë vetëm për individët. Lajmi bëhet i ditur në strategjinë për menaxhimin e borxhit publik 2025-2029.
“Në kuadër të diversifikimit të burimeve të financimit dhe zgjerimit të bazës së investitorëve, në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025-2029 do të synohet vlerësimi i mundësisë së prezantimit të Obligacioneve Qeveritare për Individë,” thuhet në dokumentin, i cili është hedhur për konsultim publik dhe më pas do të miratohet në Këshill të Ministrave.
Obligacionet janë letra më vlerë, përmes të cilave qeveria merr borxh në treg. Aktualisht qeveria shqiptare emeton obligacione me afate të ndryshime maturimi nga 2 deri në 15 vjet. Por deri më sot këto instrumenta ofrohen në ankande të hapura, ku marrin pjesë, jo vetëm individët, por kryesisht bankat dhe investitorët e tjerë institucional si fondet e investimeve apo atë të pensioneve.
Strategjia e menaxhimit te borxhit publik
“Ky instrument synon të rrisë përfshirjen e qytetarëve në financimin e borxhit shtetëror, të nxisë kulturën e kursimeve afatgjata dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale nëpërmjet reduktimit të varësisë nga tregjet institucionale dhe financimi i huaj,” thuhet në strategji.
Sipas ministrisë së Financave, ky instrument ka një sërë avantazhesh, pasi diversifikon burimet e financimit të qeverisë dhe redukton varësinë nga financimi institucional dhe emetimet e mëdha në tregjet ndërkombëtare.
Po kështu, ministria e Financave thotë se emetimi i këtyre obligacioneve do të zgjerojë bazën e investitorëve vendas, do të rrisë stabilitetin e financimit të borxhit si dhe do të nxisë kulturën e kursimeve dhe investimeve tek qytetarët. Në Strategji, ministria e Financave nuk specifikon se me çfarë maturimi do të jenë këto obligacione, por sqaron se ato të jenë afatshkurtra dhe afatmesme.