Ballina Ekonomia ​BSH: Përfshirja financiare e popullsisë në Shqipëri arrin në rreth 80 %

​BSH: Përfshirja financiare e popullsisë në Shqipëri arrin në rreth 80 %

32
0

Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme me ritme dyshifrore, duke reflektuar qartë efektet pozitive të digjitalizimit të sektorit financiar dhe masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016 çka tregon për një rritje më shumë se pesëfish brenda tetë viteve.

Ky progres dëshmon ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve shqiptarë, që po zgjedhin gjithnjë e më tepër zgjidhjet digjitale për kryerjen e pagesave të përditshme, duke reflektuar një rritje të besimit në sistemin bankar dhe në sigurinë e teknologjive financiare.

BSH-ja bën të ditur se përfshirja financiare e popullsisë arrin në gati 80%, një nga nivelet më të larta në rajon.

Një tjetër tregues pozitiv është rritja e përfshirjes financiare, e matur si përqindja e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare. Kjo përqindje ka arritur në 78% në vitin 2024, nga vetëm rreth 40% në vitin 2017.

Kjo rritje tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e qytetarëve janë duke u përfshirë në mënyrë aktive në sistemin financiar formal, duke pasur akses në produkte dhe shërbime bankare bazë.

Rritja e pagesave digjitale dhe përfshirjes financiare: Ndihmon formalizimin e ekonomisë dhe ul përdorimin e cash-it, përmirëson transparencën financiare dhe lufton evazionin fiskal, rrit efikasitetin në tregtinë e brendshme dhe ndërkombëtare dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit europian, shkruan ATSh.

Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar mbeten të angazhuar për vazhdimin e reformave në sistemin e pagesave, ndërtimin e infrastrukturave moderne financiare dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbime të sigurta, të shpejta dhe të përballueshme.