Partia Demokratike Dega Vlorë, ka reaguar pasi zgjedhjes vetëm me votat e këshilltarëve të majtë, të Elis Halilit si kryebashkiak i Vlorës, pas dorëheqjes nga posti të Ermal Dredhës.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi Rezenbrik Serjani, e ka cilësuar akt të turpshëm politik emërimin e Halilit, pasi sipas tyre, u zbatuan urdhrat e Edi Ramës dhe “komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi”.
Sipas PD dega bashkia është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë vlonjatë, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, jam sot për të denoncuar një tjetër akt politik të turpshëm në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
Sot, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me votat e shumicës socialiste, shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të kapjes politike dhe shkeljes së çdo norme demokratike.
Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.
Kryetari i votuar me kartonat e turpit socialist pa legjitimitet dhe në kundërshtim me ligjin, u promovua nga propaganda socialiste si një “udhëheqës” i punëve publike, ndërkohë që në të vërtetë është një zbatues i projekteve më të dëmshme për qytetin: ngushtimi i rrugëve, kaosi në projektin e ujësjellësit, betonizimi pa kriter, shkatërrimi i Sheshit të Flamurit, ngushtimi i Bulevardit Vlorë-Skelë, të cilat janë ndërhyrje të pseudoprojekteve që kanë rrëmbyer miliona euro nga taksat e qytetarëve vlonjatë dhe e kanë bërë Vlorën të mos jetë më Vlorë.
Bashkia e Vlorës, nën sundimin e këtij klani politik, është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.
Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë.
Sot, u komandua një kryetar i paligjshëm bashkie, për të firmosur paligjshmëri!
Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar.
Vetëm një kryetar bashkie i zgjedhur nga opozita do të jetë zgjidhja përfundimtare e kapjes së Bashkisë Vlorë nga kthetrat e abuzimit, dështimit dhe korrupsionit.