Autoritetet në Kroaci filluan asgjësimin e gati 12,000 derra të hënën, pasi virusi shumë ngjitës dhe vdekjeprurës i etheve afrikane të derrave u zbulua në një fermë të madhe në pjesën lindore të vendit. E padëmshme për njerëzit, por me një shkallë vdekshmërie që i afrohet 100% për derrat dhe derrat e egër, ethet afrikane të derrave (ASF) janë një sëmundje virale hemorragjike.
Përhapja e sëmundjes mund të ndalojë eksportet e mishit dhe zbulimi i saj çon në masa të menjëhershme parandaluese. Asnjë vaksinë nuk është miratuar ende në Bashkimin Evropian.
Sipas televizionit shtetëror, rreth 10,000 derra do të theren në fermën në Sokolova (pjesa lindore e vendit) dhe rreth 1,600 në një fermë tjetër në të njëjtin rajon, i njohur për fermat e shumta të derrave.
Se si u shfaq virusi në këtë fermë të teknologjisë së fundit është ende e panjohur, por sipas ministrit, ai u shkaktua ” 99% nga faktori njerëzor “. Autoritetet kanë vendosur mbikëqyrje në 54 ferma me më shumë se 1,000 kafshë dhe kanë shtrënguar kontrollet kufitare, shtoi ministri.
“Fakti është se virusi është përhapur dhe sigurisht që do të jetë e nevojshme të merren masa disi më radikale”, tha Ministri i Brendshëm David Bozinovic, i cili shtoi se mund të vendoset edhe ushtria.
Kroacia kishte më shumë se 873,000 derra në fermat e saj në vitin 2024 dhe eksportoi më shumë se 285,600 derra, me vlerë rreth 57 milionë euro, sipas zyrës kombëtare të statistikave.