Aktori amerikan, Charlie Sheen, ka shkaktuar reagime të forta me zbulimet që bëri në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, ku pranoi se është përjashtuar nga tregu i kokainës nga një kartel meksikan, për shkak të sasisë së jashtëzakonshme që kërkonte.
“Karteli të përjashtoi ty?”, e pyeti gazetarja Amelia Adams, me aktorin 60-vjeçar që u përgjigj: “Po, po”.
Ai shpjegoi se “ata nuk kishin parë kurrë dikë që të blinte aq shumë drogë”, dhe shtoi: “Sasi të tilla u jepeshin vetëm trafikantëve. Menduan se edhe unë po e shisja, përveçse e përdorja.”
Gjatë intervistës, gazetarja e pyeti gjithashtu nëse është e vërtetë që “piqte shtatë gramë crack crystal”. Sheen u përgjigj: “Nuk i kemi peshuar kurrë, por kjo ishte sasia që duhej për të marrë atë formë.”
Ai kujtoi një rast kur kishte bërë shaka: “Do më duhet një pipë më e madhe”. “Pak qesharake, apo jo?”, shtoi aktori, përpara se të pranonte se është “me fat që është ende gjallë”.
Sipas Page Six, kjo intervistë vjen në kuadër të promovimit të librit të tij të ri, “The Book of Sheen”, ku përshkruan rrugëtimin drejt largimit nga substancat narkotike. Në këtë libër, fituesi i Çmimit “Golden Globe” ndalet veçanërisht te vajza e tij, Sami Sheen, duke theksuar se ishte pikërisht ajo që e motivoi të linte drogën dhe alkoolin në vitin 2017, pas dekadash të tëra varësie.
Aktori kujton një episod ku duhej ta merrte Samin nga një takim, por nuk ishte në gjendje të ngiste makinën, ndaj kërkoi ndihmën e një miku. “Sami ishte shumë e heshtur”, shkruan ai, duke shtuar: “Nuk duhej të isha ndonjë parashikues që të kuptoja çfarë po mendonte”. Ai përfytyronte pyetjet që i vlonin vajzës në mendje: “Pse babi nuk po ngas makinën sërish? Pse nuk jemi vetëm ne të dy në makinë si dikur? Kur do të kthehet babi? Më mungon.”
Sheen thekson se e vetmja gjë që e bënte të ndjehej më keq se të tradhtonte veten, ishte dështimi si prind.
Siç zbulon, të nesërmen konsumoi dy Valium dhe piu tre pije alkoolike, por pikërisht ajo ditë ishte edhe momenti vendimtar kur vendosi të ndalonte përdorimin e substancave.
Charlie Sheen ka dy vajza, Sami dhe Lola, nga martesa me ish-bashkëshorten e tij, Denise Richards. Aktualisht, Sami është aktive në platformën OnlyFans dhe vazhdon të jetë e larguar nga marrëdhënia me të atin.