Ballina Opinion Opozitë babilonike

Opozitë babilonike

31
0

Nga Namir Lapardhaja

Prej kohësh opozita jonë ka humbur busullën orientuese, duke dalë jashtë kohe dhe hapësire.

Kur i duhet të jetë konstruktive, është destrutive. Kur duhet të jetë argumentuese, është zhurmëshurdhuese. Kur i duhet të japë alternativë, jep pretenca. Kur i duhet të jetë e butë bëhet e ashpër. Kur i duhet të jetë e drejtë, shfaqet e shtrembërt. Kur i duhet të jenë sa më të arsyeshëm, janë aq më irracionalë. Kur duhet të jenë sa më të afërt, janë aq më të largët. Kur i duhet të jenë sa më të ëmbël janë aq më të hidhur. Kur i duhet të jenë sa më të shpejtë, atëherë janë aq më të ngadaltë.

Kur i duhet të betohen në Parlament, hedhin Kushtetutën përpjetë. Kur i duhet të flasin, bëjnë zhurmë. Kur i duhet të propozojnë emrat e tyre, shkarkojnë emrat e kundërshtarit. Në vend që të martohen në Kalanë e Rozafës, një prej më të bukurave dhe më të veçantave në botë, bëjnë dasmat në kështjella të huaja në Itali. Kur i duhet të rrinë e t’i japin sqarime njerëzve në Shqipëri, hedhin foto nga udhëtimet e tyre nëpër botë. Kur i duhet të rinovohen, mumifikohen. Kur i duhet të ikin, rrinë në vend. Kur i duhet të ndryshojnë, riciklojnë veten. Kur i duhet të fshehin luksin, shpërfaqin jetën luksoze. Kur i duhet të bëjnë një gjë, bëjnë pikërisht të kundërtën e gjësë së duhur.

Kjo është çudia më e madhe e kësaj opozite.

Mirë që janë të tillë dhe që veprojnë kështu, po pse? Cila është arsyeja? Dhe, me sa duket, tjetër arsye nuk ka veç asaj që thotë Anjshtajni, që bëjnë të njëjtën gjë dhe presin rezultate të ndryshme. Mirëpo, në rastin e tyre edhe kjo nuk sqaron shumë, sepse, mirë që bëjnë të njëjtën gjë, po pse bëjnë gjithmonë gjënë e gabuar?

Për këtë përgjigje se pse bëjnë gjënë e gabuar, duhen pyetur vetëm ata.

Po mirë që duhen pyetur, po ku t’i gjesh ata dreqër, se ata janë sa në Milano, sa në Berlin, Romë e nëpër botë; me toyota luksoze, me foristrada të shtrenjta, me aeroplanë me dreq e me të birin, i ke ose nëpër botë, ose nëpër vende që nuk i kap dot.

Nuk i ke në Dumre, në Gramsh, në Zadrimë, në Pukë, në Mat, në Librazhd, në Korçë, Kolonjë, Përmet e Berat, askund nëpër Shqipëri nuk i gjen.

Ata i ke kudo, vetëm aty ku duhet të jenë nuk janë.