Ballina Kulturë “Pikante” në Teatrin “Migjeni” – mbrëmje me humor, muzikë dhe emocione nga...

“Pikante” në Teatrin “Migjeni” – mbrëmje me humor, muzikë dhe emocione nga mjeshtri Sandër Ruçi

25
0

Teatri “Migjeni” i Shkodrës mirëpriti mbrëmjen e së shtunës premierën e shfaqjes së humorit “Pikante”, nën kujdesin e Bashkisë Shkodër dhe produksionit “Sandri Company”.

Mjeshtri i Madh Sandër Ruçi, autor dhe regjisor i shfaqjes, solli një atmosferë plot humor, situata pikante dhe batuta që mbajtën publikun të mbërthyer nga të qeshurat pa fund.

Spektaklit i dhanë jetë këngëtarë me përvojë dhe të rinj të talentuar, duke ndërthurur në këtë mënyrë numrat e humorit me interpretimet muzikore. Pas shfaqjes, Sandër Ruçi ndau emocionet e tij me publikun, duke falënderuar ekipin e aktorëve dhe artdashësit që mbushën sallën.

Më erdhi mirë, se publiku e priti mirë. Ishte shumë ‘i kualifikuar’ dhe me këtë publik unë kam vite që punoj. Jam i lumtur për tërë këtë punë kolosale që u bë, me disa ecejake danteske për të ardhur deri këtu, por jam sinqerisht i lumtur që ia mbërrita,” u shpreh aktori Ruçi.

Mjeshtrja e Madhe Drande Xhaj dhe prezantuesja Uarda Albunesa shprehën gjithashtu kënaqësinë për pjesëmarrjen, duke e cilësuar premierën si një përvojë të veçantë artistike.

Salla ishte plot, por të punosh me Sandrin duhet të matesh mirë, sepse Sandri është shumë kërkues dhe e do gjithçka në perfeksion. Ka punuar jashtëzakonisht shumë. Shfaqja ka qenë mbi shpatullat e Sandrit, siç e patë,” tha aktorja Xhaj.

Ishte prezantimi im i parë, por emocioni vjen gjithmonë kur ke një publik special siç janë spektatorët shkodranë,” tregoi prezantuesja Albunesa.

Publiku e shoqëroi premierën me duartrokitje të gjata, duke e kthyer këtë mbrëmje në një festë arti dhe argëtimi për qytetin.

Shfaqja “Pikante” do të vijojë edhe të dielën, më 21 shtator, në skenën e Teatrit “Migjeni”.