Enver Petrovci, aktori dhe pedagogu i madh shqiptar i cili ndërroi jetë sot, la pas një trashëgimi të pasur artistike.
Para tre vitesh në një intervistë në emisionin “Libero”, ai rrëfeu hapur bindjet, reflektimet dhe pasionin për artin që e karakterizuan gjithë jetën.
“Mendoj që pak kam punuar, pak kam bërë nuk jam modest. Unë jam besimtar. Aty nuk kam dilemë, se e kam parë dritën e Zotit, vërtetë po. Po është tregim tjetër”, kishte thënë ai.
“Më dhimbsen njerëzit që nuk janë besimtarë. Po nuk kam asgjë kundër tyre, natyrisht. Puna e tyre është”.
Ai nuk e fshehu frikën dhe përgjegjësinë që ndjente për dhuratën e talentit që Zoti i kishte dhënë: “Po kam frikë me shku te Zoti sepse më ka dhënë shumë mundësi e unë nuk kam bërë asgjë. Në krahasim me atë se sa mundësi m’ka dhënë”.
Petrovci theksoi veçoritë që e bënë një artist të veçantë: zërin, mendjen, talentin për skenë, për komponim, për këndim dhe instrument, si dhe shëndetin që ia mundësoi të ushtronte artin e tij.
“E unë vetëm kam qenë shqiptar”, kishte thënë aktori ndër të tjerash.