Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u kërkoi bankave private të rrisin investimet në infrastrukturën dixhitale për të lehtësuar pagesat elektronike dhe mundësuar uljen e parasë cash në ekonomi. Gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Bankave, kreu i BSH theksoi se kalimi drejt pagesave digjitale, dhe rrjedhimisht ulja e përdorimit të cash-it, është një proces i dëshiruar për ekonominë shqiptare për disa arsye, pasi rrit formalizimin e ekonomisë; ul evazionin fiskal; përmirëson sigurinë fizike të pagesave dhe ul koston e mbajtjes së cash-it; nxit përfshirjen financiare, dhe jo më pak e rëndësishmja, mbështet integrimin evropian.
“Përshpejtimi i këtij procesi kërkon dhe përmbushjen e disa kushteve: krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, aksesin me kosto të arsyeshme tek pagesat digjitale; krijimin e një kuadri rregullator të qartë dhe të rreptë për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit; rritjen e njohurive financiare të publikut; rritjen e aftësive teknologjike të publikut dhe një ndërgjegjësim për avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të pagesave digjitale,” shtoi kreu i BSH.
Për këtë qëllim, ai u bëri thirrje bankave të jenë sa më proaktive në të gjitha këto drejtime.
Të dhënat zyrtare nga BSH tregojnë se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave është rritur me ritme dyshifrore. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% që ishte në vitin 2017.
Në këtë drejtim, një datë e rëndësishme është 7 tetori 2025, kur do të nisë operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, të cilat janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndërkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente.
“Krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Evropian, me rrjedhoja pozitive zinxhir për ekonominë shqiptare,” tha Sejko.
Veç zhvillimeve në sistemet e pagesave, një tjetër çështje e diskutuar mes guvernatorit dhe drejtuesit të bankave private ishte ajo e kredimit të bujqësisë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në vend.