Ditën e sotme në media ka qarkulluar një video ku pretendohet se është filmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, në banesën e Xhevdet Troplinit, i njohur me nofkën “Poja”, me bazë në qytetin e Durrësit.
Sipas raportimeve mediatike, në video shfaqet Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, deputeti i PD-së për Qarkun e Durrësit, Arian Ndoja, si dhe anëtarë të familjes Troplini.
I kontaktuar nga Boldnews.al, deputeti i Partisë Demokratike Arian Ndoja deklaroi se “nuk është ulur kurrë me anëtarë të familjes Troplini”.
Ndërkohë, i vetmi personazh që dallohet qartë në video është Olsi Rama, nga i cili ende nuk ka ardhur asnjë reagim në media, në lidhje me videon, nëse a është e vërtetë dhe për çfarë dhe kur është mbajtur ky takim.
Grupi “Poja” shpesh herë është akuzuar nga opozita se kontrollon portin e Durrësit, teksa u godit nga SPAK, në një operacion të përbashkët me autoritetet italine, të njoftuar më 21 Maj, ku akuzohen si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë dhe kokainë.
Sipas dosjes hetimore, organizata kishte si drejtues kryesor biznesmenin Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë nipi i tij, Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës” dhe Adi Çoba.
Në total u lëshuan 52 urdhër-arreste, por për Xhevdet Troplinin nuk kishte asnjë masë sigurie, teksa nipi i tij, Elvis Doçi vijon të jetë ende në kërkim, po ashtu edhe anëtarët e tjerë kryesorë të grupit.
Pas publikimit të videos mbetet të shihet nëse a do të ketë reagim nga institucionet e drejtësisë. A do të thirret Olsi Rama apo personazhet e tjerë për t’u pyetur për videon në fjalë?
Kjo për shkak se nuk dihet se kush e ka filmuar videon, kush e ka nxjerë dhe cili ka qenë qëllimi i saj. Nëse video rezulton e vërtetë atëhere a do të mbajë përgjegjësi Edi Rama për vëllain e tij, i cili “kuvendon” në të njëjtat sofra me trafikantët ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit Edi Rama, del si i përfshirë në grupet e trafikut të drogës.
Vitin e kaluar, Gazment Bardhi iu drejtua me një kërkesë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku i kërkoi rihapjen e hetimeve për personin e “paidentifikuar”, në lidhje me rihapjen e hetimeve për laboratorin e kokainë së Xibrakës të zbuluar në vitin 2014.
Sipas demokratit për “personin e paidentifikuar” bëhej fjalë për Olsi Ramën. Ky i fundit është paraqitur dy herë në SPAK për të dëshmuar për çështjen në fjalë
Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, së bashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
okumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht.
Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.
Në lidhje me akuzat ndaj Olsi Ramës, Gazment Bardhi kërkoi një interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, por ky e fundit e refuzoi, madje socialistët me në krye kryeparlamentaren Lindita Nikolla e rrëzuan kërkesën që në Këshillin e Mandateve./BOLDNEWS