Ballina Kulturë DORËSHKRIM nga biografia e re e Mustafa Merlika KRUJËS: Firmëtar i Pavarësisë...

DORËSHKRIM nga biografia e re e Mustafa Merlika KRUJËS: Firmëtar i Pavarësisë dhe besnik deri në fund i Ismail Qemalit

62
0

Eugjen Merlika vjen me librin e tij të ri “Mustafa Merlika Kruja – Histori e dokumentuar e një jetë në shërbim të kombit shqiptar”. Ky vëllim i parë, botim i UET PRESS, dedikuar veprimtarisë intelektuale e politike të një prej figurave më komplekse të historisë sonë, sjell një pasqyrë të thelluar e të dokumentuar mbi jetën dhe kontributin e firmëtarit të Pavarësisë, deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, kryeministrit, gjuhëtarit dhe historianit Mustafa Merlika Kruja. Gjatë kësaj jave, po publikojmë për lexuesin në Gazetën Liberale disa pjesë të librit, të cilat janë edhe momentet kyçe të veprimtarisë dhe jetës politike të Mustafa Krujës.

Por le të kthehemi përsëri n’ato ditë vendimtare të nëndorit vlonjat 1912, që mbeti i lidhur në kujtesën shqiptare me emrat e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit që, si politikanë atdhetarë, të vetëdijshëm për çastin e ndërlikuar politik të Vendit të tyre, punën e tyre e kishin filluar jashtë Shqipërisë. Kishin shkuar në Bukuresht, në Romë e në Vjenë, ku kishin biseduar me shqiptarë e të huaj, kryesisht diplomatë austriakë e italianë, mbi çështjen shqiptare.

“Por nji tjetri i a kishte pasë ruejtun fati lumninë e lavdinë me e lidhun të
pandashëm emnin e vet me pamvarsin’ e kombit shqiptar: ai ishte Ismail beg Vlora, i quejtun përgjithsisht me emnin Ismail – Kemal, siç njihej në mbretninë otomane. Pa pritë e pa kujtuem Bashkij’e Vlonës merr nga Vjena me 27 tetuer prej tij këtë telegramë: “Me vaporin e parë jam aty. E ardhëshmja e Shqipnisë âsht siguruem. Ju porosis qi, tue pasun besim në fatin e atdheut, të punoni së bashku si vllazën, të merreni me rregullimin e punve të përgjithëshme e të rueni qetsinë. Epnu rrethevet lajmin e gzueshëm. Ju falem të gjithve atnisht. Ismail – Kemal”1

Ky sihariq) i atij burri të madh qi kishte lemë për t’u ngritun n’altarin e
tempullit t’atdheut shqiptar, përhapun në të katër anët prej Vlonjatvet, freskoi
zêmrat e pikllueme të gjithë patriotvet qi e ndëgjuen….”

Ky është një fragment nga një shkrim i Mustafa Krujës me titull: “Të shpallët e
Pamvarësisë”, të shkruajtur në dy vitet e fundit të jetës e të lënë në dorëshkrim, në të cilin përshkruan ato ditë të “Ringjalljes së Kombit”. Ismail Qemali në vështrimin e Mustafa Krujës në prag të ndërrimit jetë. Ai e ruajti deri në fund nderimin e respektin për këtë Burrë Shteti, që përgatiti e sendërtoi krijimin e Shtetit të parë shqiptar, të cilit autori i shërbeu me besnikëri, duke dëshmuar një lidhje të brendëshme e të fuqishme ndërmjet Shtetarit të moshuar vlonjat dhe djaloshit 25 –vjeçar kruetan.

Ja si e përshkruan At Donat Kurti veprimtarinë e Mustafa Krujës n’atë
periudhë:

“Pëlset lufta ballkanike. Shqipnija, në pjesën mâ të madhe shkilet prej
ushtrivet të hueja. Ismail Kemali e Luigj Gurakuqi me shokë zbresin në Durrës.
Mustafa Kruja bashkohet me ta e merr pjesë në Kuvêndin e Vlonës si përfaqësues i qytetit të vet. Shpallet pavarsija e Atdheut. Mustafa Kruja zgjidhet prej kuvêndit mis i të parit Senat të Shqipnís. Por mbas pak ditsh ndihet nevoja për nji nënprefekt të squet e të gjallë në Vlonë ku ishte qêndra e Qeverís së Përkohshme dhe e vetmja nënprefekturë, aso here, e sundueme prej Qeverís shqiptare. Ai vênd i besohet Mustafait. Mbas tre muejsh thirret në nji zyrë tjetër. Emnohet kryesekretar i Kryetarit të Qeverís e i Këshillit Ministruer.”

Do të kishte qenë mjaft e rëndësishme dhe interesante ndonjë dëshmi e tij
mbi atë periudhë, sado të shkurtër shërbimi, në qeverinë e parë të Shqipërisë së
pavarur. Në një fotografi t’atyre ditëve ai gjendet në mes të rrjeshtimit të delegatëve të kongresit, në krah të Ismail Qemalit, por është e njohur prirja e tij për të shkruar për veten vetëm në raste të veçanta, si ata të komunikimit me historianët.
Në atë tufë dokumentash të renditura më sipër, mendoj se dy prej tyre janë të
një rëndësie të veçantë, jo vetëm për studiuesin e periudhës por edhe për këdo që dëshiron të kuptojë se cila qe rruga e përshkuar nga Shteti i ri shqiptar në vitin 1913. Këta dy dokumenta janë:
1. Letra e Majit 1913 e Ministrit Avdi be Toptanit drejtuar “Së naltës Ministrí të
Punvet të Mbrêndëshme, Vlorë”, e shkruar prej Mustafa Krujës që trajtonte
“Proponime për zbërthimin e krizës së shkaktueme prej qëndrimit t’Esad Pashës”, që pasohet nga një bisedë telefonike ndërmjet sekretarit të Këshillit Ministruer në Tiranë e Ministrave Lef Nosi e Iljaz Vrioni në Vlorë.

2. I dyti është një Shpallje e “Pretorisë së Durrësit”: “Programa e Qeverís së
Shqipnís së Mesme me Esad Pashë Toptanin në krye”. Janë dokumenta që nuk
përmenden në tekstet zyrtare të Historisë së periudhës komuniste, por edhe pas
komuniste. Arsyet janë të pakuptueshme, por ata dokumenta i sqarojnë lexuesit e studjuesit motivet e së parës krizë të Shtetit shqiptar, e lidhen me emrin e Esad Pashës, një personaliteti mjaft aktiv e i përfolur n’atë kohë, dhe mbështetësve të tij në luftën kundër Qeverisë së Vlorës.

Letra e Avdi be Toptanit pasqyron gjëndjen politike të Shqipërisë, jashtë
ndikimit të qeverisë së Përkohëshme të Vlorës. Ishte frut i tri ditëve bisedimesh
intensive ndërmjet të dërguarve të Qeverisë së Vlorës e disa përfaqësuesve të
krahinave shqiptare, kryesisht veriore, përfshirë këtu edhe mbretin e ardhshëm të Shqipërisë, Ahmet Zogollin, në lidhje me gjëndjen e atëhershme aktuale tejet të vështirë të Vëndit e hapat që duhej të hidheshin për t’a shëndoshur atë. Si
përfundim i atyre bisedimeve, që kishin lindur spontanë mbas bisedës së
pafrutëshme të të parëve me Esad Pashë Toptanin, u arrit në përfundimin se koha dhe problemet e saj, kishin nevojë të domosdoshme për një tjetër mexhliz si ai i Vlorës, në të cilin të merrnin pjesë mundësisht të gjithë përfaqësuesit e krahinave shqiptare edhe t’atyre që nuk kishin patur mundësi, për arsye të ndryshme që nuk vareshin prej tyre, të ishin të pranishëm në Vlorë më 28 nëndor 1912.

Ndoshta do të kishte qënë një ngjarje historike, e së njëjtës vlere si ajo e Vlorës, në të cilën do të kishte një rrahje mendimesh si Kuvendet e lashta të Arbërit e një zotim të përgjithshëm për të përcaktuar rrugën e drejtë që duhej të përshkonte atdheu i cunguar padrejtësisht e që shpresonte në moralin e forcën e atyre burrave. Ai Kuvend do të duhej të ripërcaktonte edhe pjesëmarrjen e gjithë klasës politike të tij, në një “besë burrash”, ku të mos mbizotëronin interesat e ngushta të njërit apo tjetrit, por ata madhore të Shqipërisë në kushtet e reja.

Letra nuk gjeti mirëkuptimin e duhur tek Myfid be Libohova e të tjerë
qeveritarë në Vlorë, ku mungonin Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e atij interesimi e vëmëndjeje i hapi rrugën dokumentit të dytë, shpalljes së “Pretorisë së Durrësit”, që për nga fryma dhe forma i shëmbëllente më shumë një vendimi të nënëshkruar nga Koçi Xoxe apo Bedri Spahiu, në gjyqet e para kundër nacionalizmit shqiptar, se sa “Programa e Qeverís së Shqipnís së Mesme me Esad Pashë Toptanin në krye”.

Ajo shpallje ishte si një grusht shteti pa armë, që shënoi rrjeshtimin e një pjese heterogjene të klasës drejtuese shqiptare në dobi të ambicieve e synimeve politike vetijake të beut Toptanas që, pavarësisht nga demagogjia e theksuar e programës së tij, nuk i sillte asgjë të mirë Shqipërisë n’atë periudhë, veç faktit se përfaqësonte përpjekjen e parë të madhe të luftës politike, në një kohë kur Shqipëria kishte më shumë nevojë për bashkësi mendimi e veprimi të drejtuesve të saj në hapat e para të ecjes së saj.

“Prej kryesekretarís së Këshillit ministruer në Vlonë u caktue Drejtor arsimi
në prefekturën e Elbasanit. Atje pat të parën rasë me tregue cilsít e tij organizative tue ngrehun mbrênda pak muejve disa shkolla katundesh e tue i dhânë rregull e shpirt arsimit të qytetit, veçan shkollës normale.”

I shpërngulur në Elbasan jeta e Mustafait pati ndryshimet e saj profesionale e
vetiake. U martua dhe u zhyt në punën e re, siç e ve ne dukje edhe biografi i tij.
Ndërkaq nga shokët e tij në Durrës e në Krujë merr vesh se në Tiranë është
formuar një grup intelektualësh të shquar që organizojnë manifestime kundërshtish kundrejt qeverisë së Vlorës. Madje edhe ndonjë ministër i kësaj Qeverie e braktis këtë për t’ i u bashkuar Faik Konicës, Fazil pashë Toptanit, Dervish Himës, Basri beg Dibrës, Mendu Zavalanit, Mehdi Frashërit, Mithat Frashërit etj.

Pa plotësuar ende vitin e parë të qeverimit “Ati i kombit” u detyrua të përplaset me këtë bllok të brëndshëm, të organizuar nga Esat Pasha, që nuk u mjaftua vetëm me postin e rëndësishëm të ministrit të punëve të brëndëshme.

Kërkesës së dorëheqjes së rolit të kryeministrit nga “opozita” shqiptare i u shtua
edhe ajo, më e rëndësishme e KNK, që e detyroi padrejtësisht “Plakun e Vlorës”,
pa asnjë mëkat, të braktiste veprën më të lavdishme të jetës së tij, e të shpërngulej nga vëndlindja për të jetuar në Perugia të Italisë.
Ato ngjarje patën ndikimin e tyre edhe tek sekretari i këshillit të ministrave të
zgjedhur prej tij, që në një vizitë tek Esat Pasha, pyetjes së këtij të fundit se si i dukej dokumenti i hartuar prej Faik Konicës e i ofruar prej tij për t’a lexuar, i u përgjigj me gjakftohtësi e vendosmëri: “Një akt tradhëtije, Pashë”

Muajt e fundit të vitit 1913 dhe viti 1914 nuk e kanë ulur aspak vrullin e punës
së Mustafa Krujës. E dëshmojnë këtë bisedat telefonike e letrat e shkëmbyera me mjaft personalitete të jetës politike, administrative e kulturore si Avdi Toptani, Myfid Libohova, Hamid Toptani, Mahmut Beshiri, Xhemal Belegu, Lef Nosi, Iljaz vrioni, Burhan Kumbaro, Thanas Floqi, Aleksandër Xhuvani, Aqif Pashë Biçaku, Mithat Frashëri, Shefqet Dajiu etj.

Vitin 1914 shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare e ka përkufizuar “Viti i
mbrapshtë”. Besoj se ka plotësisht të drejtë se për Shqipërinë pati dy pamje, krejt të ndryshme e të kundërta me njëra tjetrën. Largimi i Ismail Qemalit, ashtu sikurse më parë dorëheqja e Dom Nikollë Kaçorrit nga Qeveria duket se solli një farë ere paqtimi në jetën politike. Myfid be Libohova kishte miqësi të vjetër me Esat Pashë Toptanin, i cili, me zotërimin e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe pa Kryeministrin, u duk se plotësoi deri diku kërkesat e tij e mbështetësve të “Pretorisë së Durrësit”.

Si pasojë e kësaj atmosfere të re e rrethanave të jashtëme e të brëndëshme, në pjesën më të madhe të botës politike shqiptare u arrit një mirëkuptim kundrejt një princi evropian, që duhej kërkuar nga Evropa. Ky mori shëmbullimin e gjermanit Princ Wiedi, të cilit Shqipëria i dërgoi një delegacion përfaqësues të politikës së saj për t’i kërkuar miratimin e vendimin për të marrë fronin e Shqipërisë.

Ky vendim i Evropës u përshëndet si një nismë tejet pohenike dhe e favorshme edhe për t’ardhmen e Shqipërisë, si një Vend që do t’a shihte rrugën e
saj të përkrahur nga kontinenti i vjetër. Sa do t’ishte e vërtetë një hamëndje e këtillë nuk u arrit të kuptohet e të sendërtohet, sepse vetë shqiptarët, ose pjesa më reaksionare e tyre, në gjithë historinë shqiptare u ngrit, u organizua, rrëmbeu armët e bëri të dështojë çdo ëndërr e idealistëve të “dheut të Arbërit”, duke detyruar mbretin e adoptuar të Shqipërisë t’a braktisë pa kthim këtë të fundit.

Gjithë trishtimin e zinë kombëtare të shqiptarizmës dhe idealeve të saj e
kishte shprehur vetë Mustafa Kruja në një letër që i drejtonte Ahmet beg Zogollit më 16 qershor 1914, nga Kruja e pushtuar:

“Shumë shênje janë për me na bâmë të besojmë se kjo kryengritje âsht
vepra e Esad Pashës s’onë. Për qêndër ka Shijakun. Qarku i saj sod për sod
kufizohet në prefekturën e Durrsit. Në fillim âsht shfaqun si nji lëvizje kundra
mbledhjes dhe dërgimit të vullnetarve në Korçë kundra andartve epirotë!. Mbrapa na duelën do kërkesa të çudiçme. Mâ në fund reakcion kundra pavarsís kombtare, lakuriq e me të tânë kuptimin e fjalës, i pështetun në fanatizmin fetar. Sod kryengritësit s’janë mâ tjetër për kurrkênd veçse nji turmë rebelash reakcjonarë qi luftojnë me bajrakun e Turqís për kthimin e sundimit të ksaj mbi vêndin t’onë. Of! Ahmet Beg. Qe! Mu përpara meje, përpara dy sŷve të mij atje mbi taben e fortesës së Krús, depozitares së kujtimevet t’ona kombtare mâ të shênjta, mâ të nmallëngjyshme e mâ të krenueshme, atje në këtë ças âsht tue value bajraku i kuq me hân’ e yll të bardhë, shêmbëlltyra e robnís së katërqind e sa vjetve!….”

Me gjithë përpjekjet e shumanshme të qeverieë së Turhan Pashës, që kërkoi
pa dobi edhe ndihmën e Evropës, e luftërat e vullnetarëve të qyteteve të ndryshme, po ashtu sikurse edhe të fuqive të Mirditës, të komanduar nga Preng Bib Doda e të Matit të drejtuar nga Ahmet beg Zogolli, nuk u bë e mundur shtypja e asaj kryengritjeje e qëndrimi i princ Wiedit në Vëndin tonë. Shqiptarizma humbi betejën e saj të madhe, vetëm dy vite mbas fitores historike të 28 nëndorit, e, për ironi të fatit, u desh të mbështetej pa vullnet tek armiqtë më të egër të saj, ushtritë sërbe, që thyen bashibozukët e Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit, e rivendosën përsëri në pushtet mikun e tyre, Esat Pashë Toptanin. Por “Viti i mbrapshtë 1914”, me të gjithë të këqijat e tij, u rikthye në kujtesën historike të shqiptarëve, i ringjallur, i lavdëruar, i ngritur në qiell nga fituesit e luftës së dytë botërore në truallin e Arbërit e zëdhënësit kulturorë të tyre deri në ditët tona. Kjo, ndoshta, ishte “fitorja më e shkëlqyer”, sepse, zyrtarisht u bë pjesë e “lavdisë” së popullit të Gjergj Kastriotit, si “pararendëse e revolucionit komunist shqiptar” të shekullit të XIX.

1. Lidhja “Për Atdheun e Për Thronin” u themelua në Durrës me 28 të
Qershorit 1914 me qëlllim që t’i shërbejë e t’i ndihmojë me këshilla e mjete të tjera M. T. Mbretit e Qeverís në përpjekjet e tyne për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikshme në të cilat ndodhet sod.
2. Lidhja do të qeveriset prej nji këshilli 22 vetësh. Themelues të Lidhjes janë
ZZ. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj
Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L. Logori, G. Jatro,
Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet
Dajiu, Kost Paftali, Nuri Vila, G. Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.
3. Kryetar i Këshillit u zgjodh Z. Refik Toptani, nënkryetar Kasneci e
shkronjës Z. L. Gurakuqi.
4. Këshilli ka zgjedhur një Komisië prej 5 vetash që do të jetë organ i tij për të
mbaruar qëllimet e vêndimet e dhânuna. Si pjestarë të Komisiës u zgjodhën ZZ.
Eshref Frashëri, L. Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abdyl Ypi, Idhomeno Kosturi. Këta do të jenë edhe përgjegjës përpara Qeverisë.

N’ato ditë të stuhishme për fatet e Shqipërisë atdhetarët e kombit themeluan
një organ të ri kushtetues me një qëllim të caktuar për të ndihmuar qeverinë dhe oborrin mbretëror në detyrën e tyre, pothuajse të pamundur, nga rebelimi i
Shqipërisë së mesme. Një veçanti e Lidhjes ishte fakti që në themelimin e saj
morën pjesë shumica dërmuese e politikës shqiptare, gjë që krijonte premisat për një bashkëpunim të ri e plot dëshirë për të ecur përpara. Por ngjarjet shpejt
përcaktuan fundin e paparashikuar të mbretërisë së re e shpresave të shqiptarëve në 3 shtator 1914 me largimin e Princ Wiedit./Liberale