Ballina Kuriozitete E pazakontë në Venecia! Fëmijët luajtën futboll në një shesh publik, prindërit...

E pazakontë në Venecia! Fëmijët luajtën futboll në një shesh publik, prindërit e tyre gjobiten nga policia

77
0

Italia mund të jetë një vend që e do futbollin, por kjo nuk i ndaloi policët në Venecia që të vepronin ndaj një grupi të pazakontë: 14 fëmijë u ndëshkuan pse luajtën futboll në një shesh publik, gjë e cila ka shkaktuar debat mbi të drejtën e tyre për të luajtur jashtë. Fëmijët, të moshës 12 deri në 13 vjeç, po luanin futboll këtë muaj në sheshin “Pino Signoretto” në Murano, një ishull me rreth 4,500 banorë në lagunën e Venecias, kur një banor, i shqetësuar nga zhurma, njoftoi policinë.

Policia shkoi në vendngjarje dhe identifikoi secilin fëmijë, përpara se të thërriste prindërit e tyre dhe t’i detyronte të paguanin një gjobë prej 50 eurosh për secilin vogëlush. Sipas njoftimit zyrtar që iu dha prindërve dhe që u publikua në shtypin italian, fëmijët po luanin në një zonë të ndaluar për lojëra me top, “duke krijuar shqetësim për qetësinë publike dhe rrezik për kalimtarët”. Antonio Trampus, babai i njërit prej fëmijëve, i tha gazetës La Stampa: “Djali im më telefonoi me lot në sy. Policia nuk donte të dëgjonte arsye. Ata mund të na kishin telefonuar dhe të na kërkonin të merrnim fëmijët në shtëpi. Në vend të kësaj, menjëherë morën emrat dhe adresat e fëmijëve”.

Gjobat mund të arrijnë deri në 500 euro, nëse nuk paguhen brenda 60 ditëve. “Por ne nuk do të paguajmë,” tha Trampus, duke shtuar se grupi do të apelojë dhe do të kërkojë ndërhyrjen e kryebashkiakut të Venecias, Luigi Brugnaro, shkruan The Guiardian.

Gjobat u vendosën bazuar në një rregullore të vitit 2019, që ndalon lojërat me top në disa zona të Venecias. Në Murano, e vetmja zonë ku lejohet loja me top është sheshi “San Bernardo”. Por prindërit argumentojnë se sheshi “Pino Signoretto” nuk është përfshirë në listën e zonave të ndaluara, pasi është ndërtuar së fundmi pas rindërtimit të lagjes. “San Bernardo nuk është i përshtatshëm,” tha Trampus. “Ndërsa sheshi tjetër është. T’i largosh fëmijët nga aty do të thotë ta kthesh zonën në gjendjen e mëparshme – të braktisur.”

Rasti ka shkaktuar debat në Venecia. Këshilltari lokal Marco Gasparinetti e cilësoi ndërhyrjen e policisë si të tepruar dhe vuri në dyshim prioritetet e autoriteteve, në një qytet që përballet me mbingarkesë turistike, hajdutë xhepash dhe një popullsi lokale që po zvogëlohet. Duke iu referuar faktit që prindërit u thirrën në polici, Gasparinetti shkroi në Facebook: “A ishin mashtrues? Hajdutë? Trafikantë droge? Jo, ishin prindërit e 14 fëmijëve.”

Ai shtoi se do të mjaftonte që policët t’ua merrnin topin dhe t’u kërkonin të ndalonin lojën. “A nuk do të ishte kjo më edukative? Aty mungoi logjika dhe ndjesia e përparësive.” Sipas Corriere del Veneto, fëmijët mund të jenë gjobitur edhe për shkak të moshës së tyre, pasi zonat ku lejohen lojërat me top janë vetëm për fëmijë nën 11 vjeç.Edhe Paolo Poggi, ish-futbollist profesionist i lindur në Venecia, ndërhyri në debat. “Rroftë fëmijëria jashtë në natyrë,” i tha ai gazetës La Nuova Venezia. “Rregullat janë të shenjta, por nevojitet edhe arsyetim. Përvoja e lojës për fëmijët duhet të ruhet.”