Ballina Politika Topollaj-këshilltarëve socialistë: Procedura për shkarkimin e Veliajt, e gabuar. Kryetari i bashkisë...

Topollaj-këshilltarëve socialistë: Procedura për shkarkimin e Veliajt, e gabuar. Kryetari i bashkisë ende prezumohet i pafajshëm

82
0

Këshilltari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, ka shprehur rezerva të forta lidhur me mënyrën sesi po procedohet për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e këshillit, ai e cilësoi procesin si të gabuar dhe të nxitur nga interesa politike të brendshme.

Sipas Topollajt, rruga e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se vetëm Këshilli i Ministrave ka kompetencën për të shkarkuar një kryebashkiak në rast të shkeljeve ligjore. “Në fakt kjo që jeni duke bërë ju nuk është shkarkimi siç do deshte një kundërshtar politik. Një kundërshtar do donte ta mundte aty ku zhvillohen betejat politike, madje ka trajtat e një lufte brenda llojit,” – tha ai.

Ai kritikoi faktin që propozimi për shkarkim bazohet në mungesat e Veliajt, ndërkohë që në të njëjtën kohë u vlerësua puna e tij. Sipas tij, kjo është një kontradiktë që e bën të pabesueshëm gjithë procesin.

“Sepse procedura që kemi zgjedhur për ta shkarkuar është krejtësisht e gabuar, Kushtetuta përcakton që kryetari i bashkisë shkarkohet vetëm nga Këshilli i Ministrave kur konstatohet shkelje e ligjit.”

Topollari shtoi se ky veprim duket si një lëvizje politike që vjen nga vetë mazhoranca, me synimin për të eliminuar Veliajn politikisht, duke e përdorur Këshillin Bashkiak si mjet. “Keni zgjedhur një mënyrë të gabuar për të përmbushur një nevojë të Kryeministrit, por që do ta bëjë nëpërmjet duarve të këshillit bashkiak një gjë që e ka ai në kompetencë.”

Ai përmendi se mungesa tremujore në detyrë është një arsye që parashikohet në ligj për shkarkimin, por në rastin e Veliajt, ajo nuk është pa arsye. Topollaji theksoi se për çdo shkelje të mundshme, duhet të jetë Prokuroria ajo që të ndërhyjë.

“Unë mendoj që Erion Veliajt duhet të ndiqet nga Prokuroria për shumë më shumë gjëra. Por sot Erion Veliaj është i pafajshëm dhe nuk mund të shkarkohet për sa kohë po ndiqet penalisht dhe është i pafajshëm.”

Në fund, ai kritikoi faktin që Veliaj nuk ishte i pranishëm për të dhënë shpjegime, dhe sipas tij, kjo duhej të ishte kërkuar nga institucionet përkatëse. “Ne nëse deshëm ta dëgjonim duhet t’i dërgonim organeve përkatëse që ai të shprehej para nesh,” – përfundoi Topollaji.