Ballina Aktualitet “Gërdeci”- Mediu kundërshton në GJKKO ekspertizën tekniko-ushtarake: Ministri nuk merret me çështje...

“Gërdeci”- Mediu kundërshton në GJKKO ekspertizën tekniko-ushtarake: Ministri nuk merret me çështje ushtarake

135
0

Në Gjykatën e Posaçme vijoi procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste për tragjedinë e Gërdecit.

Gjatë seancës Mediu pretendoi se ekspertët e thirrur nga prokuroria për akt-ekspertizat tekniko-ushtarake ishin në një nivel të ulët ushtarak.

Mediu tha se disa ushtarakë të lartë kishin kundërshtuar këto ekspertiza, ndërsa prokurori kishte deklaruar se nuk kishte njohuri për kalibrat, pasi ishte jurist. Mediu paraqet kundërshtimet në lidhje me akt-ekspertiza tekniko-ushtarake.

“Ekspertët e thirrur nga prokuroria ishin në nivel të ulët ushtarak. Gjatë procesit disa ushtarakë të lartë i kanë kundërshtuar këta ekspertë. Në këtë sallë prokurori deklaroi se nuk kishte njohuri për kalibrat se ishte jurist. Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Ministri nuk merret me çështje ushtarake. Përgjegjësia për këto çështje i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes është civil”, ka thënë Mediu në seancë.

Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjithashtu gjetjet e ekspertëve. Gjyqi ndaj tij vijon që prej prillit 2023. Rihapja e çështjes u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.