Ballina Aktualitet Raporti i Gallup: Punonjësit shqiptarë më të stresuarit e më të pakënaqurit...

Raporti i Gallup: Punonjësit shqiptarë më të stresuarit e më të pakënaqurit në rajon

98
0

Raporti më i fundit i Gallup mbi gjendjen globale në vendin e punës nxjerr në pah kontrastet e thella mes angazhimit të punonjësve, mirëqenies së tyre emocionale dhe perceptimeve mbi tregun e punës.

Në anën emocionale, 40% e të anketuarve raportojnë se kanë përjetuar shumë stres gjatë ditës së kaluar, ndërsa 21% kanë përjetuar zemërim, një tregues që mbetet i pandryshuar. Trishtimi prek 23% të punonjësve, me një rritje të lehtë dhe vetmia është rritur gjithashtu, duke arritur në 22%. Këta tregues emocionalë tregojnë se, përtej produktivitetit, vendi i punës mbetet një burim i fortë presioni dhe izolimi.

Në lidhje me vlerësimin e jetës, vetëm 33% e punonjësve globalë thonë se po “lulëzojnë”, duke shënuar një rënie të lehtë. Ndërkohë, 58% ndihen duke “luftuar” çdo ditë, ndërsa 9% e konsiderojnë veten si “në vuajtje, një rritje që ngre shqetësime mbi mirëqenien e përgjithshme.

Shqipëria, mes vendeve të fundit në Ballkan për vlerësimin e jetës dhe më të stresuarit

Të dhënat mbi “vlerësimin e jetës” zbuluan se si qytetarët e rajonit perceptojnë cilësinë e jetës së tyre aktuale dhe pritshmëritë për pesë vitet e ardhshme. Shqipëria renditet në vendin e 28-të me vetëm 39% të qytetarëve që deklarojnë se po “lulëzojnë”, një përqindje dukshëm më e ulët se disa nga fqinjët e saj.

Lideri rajonal në këtë tregues është Serbia, e cila ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur në vendin e 10-të me 55% të qytetarëve që e vlerësojnë jetën e tyre pozitivisht. Pas saj vjen Rumania, me 53%, ndërsa Kosova arrin në 50% dhe pozicionohet më mirë se Shqipëria me një diferencë të qartë prej 11 pikësh.

Nga ana tjetër, Bosnja dhe Hercegovina ka vetëm 41%, e përafërt me nivelin e vendeve si Franca apo Spanja. Mali i Zi (35%), Greqia (34%), Bullgaria (31%) dhe Kroacia (28%) qëndrojnë më poshtë Shqipërisë, duke treguar se perceptimi i cilësisë së jetës mbetet një sfidë e përbashkët për pjesën më të madhe të rajonit.

Trishtimi i përditshëm në Ballkan: Shqipëria ndër më të lartat, Kosova dhe Kroacia në fund

Ndërkohë të dhënat mbi “trishtimin e përditshëm”  e rendisin Shqipërinë të 6-tën në Evropë, me 21% të punonjësve që raportojnë ndjenja të forta trishtimi. Kjo shifër e vendos Shqipërinë më lart se shumë vende të rajonit, duke treguar një nivel më të theksuar të ndjenjave negative krahasuar me fqinjët.

Kosova ka nivelin më të ulët të trishtimit në Europë, vetëm 8%, duke u renditur në vendin e fundit (38). Kroacia qëndron gjithashtu shumë poshtë, me vetëm 8%, duke ndarë vendin e fundit me Kosovën. Serbia ka një nivel relativisht të ulët, 10%, e njëjta përqindje me Bullgarinë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut regjistron 13%, më poshtë se mesatarja evropiane dhe po ashtu edhe Bosnja dhe Hercegovina.

Ndërkohë, Sllovenia dhe Mali i Zi kanë nga 12%, duke treguar nivele të ulëta ndjenjash negative në përditshmëri. Greqia, në krah të Shqipërisë, ka 18%, pra dukshëm më ulët, por gjithsesi ndër vendet e Ballkanit me përqindje më të lartë.

Shqipëria renditet ndër vendet me ndjenja të forta vetmie 

Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet shumë lart sa i përket përqindjes së punonjësve që raportojnë ndjenja të forta vetmie. Me 19%, Shqipëria ndan vendin e dytë në Evropë, bashkë me Greqinë, duke u pozicionuar menjëherë pas Qipros Veriore (25%). Ky rezultat e bën Shqipërinë një nga vendet më të prekura nga ndjenja e vetmisë në rajon.

Mali i Zi shfaq një nivel të lartë gjithashtu, me 17%, në linjë me Rumaninë dhe Francën. Bullgaria regjistron 16%, duke u pozicionuar mbi mesataren europiane. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë nga 14%, që tregon nivele më të moderuara krahasuar me Shqipërinë.

Kroacia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë më poshtë, me nga 12%, afër mesatares evropiane. Kosova, me vetëm 7%, është ndër vendet më të ulëta jo vetëm në Ballkan, por edhe në gjithë Evropën, duke treguar një nivel të kufizuar të ndjenjës së vetmisë.

Sllovenia, me vetëm 6%, është në vend të fundit në Evropë në këtë renditje, duke treguar se perceptimi i vetmisë atje është minimal.

Shqipëria, në këtë tregues, shfaqet më afër vendeve me “krizë sociale” si Greqia dhe Qiproja Veriore, ndërsa fqinjët perëndimorë si Kosova, Kroacia dhe Sllovenia raportojnë ndjenja shumë më të ulëta vetmie.

Zemërimi i përditshëm në Ballkan

Të dhënat e raportit tregojnë se ndjenja e zemërimit të përjetuar gjatë ditës ndryshon ndjeshëm mes vendeve të Ballkanit, duke krijuar kontraste të qarta rajonale.

Shqipëria regjistron 18% të qytetarëve që raportojnë se kanë përjetuar shumë zemërim dje, duke u renditur në vendin e 11-të. Kjo e vendos vendin në një nivel mesatar, larg ekstremeve si Mali i Zi apo Kosova.

Mali i Zi kryeson rajonin dhe renditet i dyti në Evropë me 27%, shumë mbi Shqipërinë dhe mbi mesataren evropiane. Maqedonia e Veriut ka gjithashtu një nivel të lartë, 24%, e barabartë me Sllovakinë, duke e pozicionuar në vendin e 4-të.

Bosnja dhe Hercegovina shfaq një shifër të ngjashme me Maltën, 23%, duke hyrë në dhjetëshen e parë. Serbia, me vetëm 15%, është më poshtë se Shqipëria dhe në nivel të ngjashëm me Rumaninë. Kosova dhe Bullgaria ndodhen shumë poshtë në renditje me vetëm 10%, duke treguar se qytetarët e tyre raportojnë ndër nivelet më të ulëta të zemërimit në Evropë.

Kroacia, me 11%, gjithashtu ka shifra të ulëta, më afër vendeve të Evropës Veriore, ndërsa Greqia raporton 16%, disi më pak se Shqipëria. /ekofin.al