Ballina Kronika Dëshmia tronditëse e 24-vjeçarit që vrau Valbon Beqirajn: Më tha se do...

Dëshmia tronditëse e 24-vjeçarit që vrau Valbon Beqirajn: Më tha se do më jepte kokainë në shtëpinë e tij, por tentoi të më përdhunonte

59
0

Policia e Durrësit ka shoqëruar 24-vjeçarin Teilor Tivari nën dyshimet se është autor i vrasjes se Valbon alias Marko Beqiraj.

“Valboni më thirri në shtëpinë ku qëndronte pasi më tha se do të më siguronte kokainë për të konsumuar. Kur shkova atje, ai tentoi të më përdhunonte. U përleshëm, pasi unë refuzova. Një moment hapa thikën në kuzhinë dhe e godita. U largova i tmerruar”. Kjo është dëshmia tronditëse e Teilor Tivarit 24-vjeçarit të arrestuar nën dyshimet për vrasjen e Valbon Beqirajt.

Ky i fundit u gjet i vrarë në shtëpinë e tij në lagjen 12 në Durrës nga nipi pasi ai nuk i përgjigjej familjes në telefon.

Durrës

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vrasja me thikë e 51-vjeçarit.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes.

Në pranga dhe një shtetas që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç.

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, u zhvilluan hetime të thelluara dhe një sërë veprimesh me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.

Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.

Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.

Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”.