Nga Namir Lapardhaja
Që Doktori digjet e digjet përbrenda vetes si një diell i vogël, për këtë s’ka asnjë dyshim. E di gjithkush që ka sy në ballë dhe dy fije tru në kokë. Madje, e di bota mbarë.
Por ndërkohë që Dielli i madh, Dielli në Qiell, digjet dhe ngroh botën, shpërndan Jetën, dielli i vogël që u ka rënë për hise demokratëve të kohës që po jetojmë, Doktori, në përpjekje për t’u dukur Diell i madh, kris, kërrcet, shkrep, por nuk ngroh, vetëm djeg.
Keqkuptimi dramatik i Doktorit diell i vogël që i duket vetja Diellin i madh, me ngrohjen, djegien, jetën e vet, jetët e të tjerëve, janë problemi, ose zjarri, që Doktori nuk e mban vetë, por e hedh mbi kurriz të të tjerëve për të djegur edhe të tjerët si veten e vet.
Me aq naftë sa ka shpërdoruar, Doktori do kishte djegur krejt Ballkanin dhe vënë zjarrin Adriatikut dhe Jonit. Provoi Doktori të ndizte mijëra qirinj mbi varret e të revoltuarve para kryeministrisë më 21 janar. Nuk mundi. Ndezi vetëm 4 qirinj të zbehtë.
Provoi, gjithashtu, Doktori me zjarrin e vet ta digjte Gërdecin me gjithë Maminasin dhe Vorën me gjithçka kishin brenda. Ndezi vetëm 26 qirinj. Të ndizte më tepër, nuk mundi. Nuk i mjaftoi baruti i predhave.
Qytetari Digjital plot me gënjeshtra dhe mashtrime ishte një tentativë tjetër për të djegur gjithë shqiptarët. Nuk dogji dot asnjë.
Edhe me foltoret nuk ndezi asgjë. U lodh kot. Asnjë iskër nuk doli nga ato karikatura propagandistike që na nxorrën mallin e mbledhjeve të partisë nëpër ndërmarrje në kohën e Qoftëlargut. Benzina që hodhi nja një vit rresht natpërnatë nga kati i tetë, hiçasgjë. Aty ndizej-aty fikej. Zjarr me shkarpa.
Nja dy a tri herë herë provoi të ndizte Amerkën duke djegur nja njëzet a më tepër milionë dollarë për të blerë si malësor i dalëboje Nderin me pare, për të hequr ‘Non Gratën’. Nuk janë shumë për Doktorin, janë kacidhe, janë pare xhepi. Nuk i ndezi as korruptimi i Amerikës. Amerikanët e tallën. Nga njëra i thanë po-po, pa merak, do ta heqim Non Grarën, do ta shkulim atë që ta ngulëm dhe, nga ana tjetër, qeshnin, gajaseshin.
Digju e digju për vete, ndiz e ndiz e vrit e vrit demokratët që mbetën rrugëve, Doktori premton e premton duke u çirrur para mikrofonave dhe kamerave, por nuk ndez dot asnjë revoltë, asnjë kryengritje, asnjë zemërim, asnjë revolucion.
Doktori ynë, që na e ruajtë Zoti, se megjithatë zjarr që nxjerr nga goja ne s’kemi ç’i bëjmë, Diell është për të qenë, por Diell vetëm për të djegur, diell i vogël i ftohtë për të ndezur. Diell që një ditë do fiket si fiken gjithë diejt.
Edhe sa vite e shekuj do e presim që Doktori të na ndezi e të mos na djegi ? Nuk dihet.
Ajo që dihet është se bashkë me vitet e shekujt që venë e vinë, edhe Dielli i Qiellit fiket një ditë këtu për t’u ndezur në formën e një dielli tjetër në një vend tjetër të Rrugës së Qumështit.
E nëse ndodh që Dielli i Qiellit do fiket para diellit të Doktorit?
Po ndodhi kjo, pra nëse duhet të presim edhe disa miliona vjet nën rrenat e Doktorit, na ka marrë lumi, më mirë hapu dhè të futemi.