Ballina Ekonomia “Ekonomia shqiptare po mbështetet nga paratë e pista”/ Programi qeverisës, reagon Kedhi:...

“Ekonomia shqiptare po mbështetet nga paratë e pista”/ Programi qeverisës, reagon Kedhi: E rrezikshme, nuk ofrojnë…

38
0

Në një intervistë televizive, anëtari i PD, Nikola Kedhi, analizoi gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke e cilësuar programin ekonomik të qeverisë si të paqëndrueshëm dhe të shkëputur nga realiteti.

“Ky i qeverisë nuk është program, nuk paraqet vizion dhe as strategji, sepse është tërësisht i shkëputur nga realiteti shqiptar”, u shpreh Kedhi.

Ai shtoi se modeli ekonomik i ndërtuar gjatë dekadës së fundit është i bazuar kryesisht te sektori i ndërtimit, ku kanalizohen edhe paratë e pista që hyjnë në Shqipëri. Sipas tij, kjo e bën ekonominë jo vetëm të paqëndrueshme, por edhe të rrezikshme. Kedhi paralajmëroi se çdo goditje e flukseve financiare do të sjellë pasoja negative në ekonominë shqiptare.

Kedhi:

Ky i qeverisë nuk është se është një program, as paraqet një vizion, as paraqet një strategji, sepse është tërësisht i shkëputur nga realiteti shqiptar, po të shikojmë, duke bërë edhe ndërhyrje, e dy raporteve, raporti ekonomik dhe raporti analitik për programin që paraqiti qeveria, për të cilin ne shprehim dhe shqetësimin e thellë që nuk u arrit të diskutohej dhe nuk u arrit t’i paraqitej publikut, qytetarit shqiptar se çfarë parashikon kjo qeveri për shqiptarët në 4 vitet e ardhshme.

Po t’i ndërthurim të dyja, shikojmë që modeli ekonomik në Shqipëri, ky model i zhvilluar në dekadën e fundit është tërësisht i paqëndrueshëm, sepse është i bazuar jo te prodhimi, jo te produktiviteti i pjesëmarrësve në tregun e punës, jo te elementet konkretë, të cilët janë të vetmit që rrisin më pas pagat, zhvillojnë ekonominë, zhvillojnë mirëqenien e individit, por është i bazuar kryesisht te sektori i ndërtimit ku, siç e thonë dhe pjesa më e madhe e mediave dhe raporteve ndërkombëtare, kanalizohen të gjitha paratë e pista që vijnë në Shqipëri, gjë që e bën jo vetëm të paqëndrueshëm, por edhe të rrezikshëm.

Çfarë ndodh në momentin që ka një goditje të këtyre flukseve që vijnë? Pritet të ketë një efekt të caktuar në ekonominë shqiptare dhe efektet janë negative.

Shikojmë që të treja shtyllat që përbëjnë modelin ekonomik të viteve të fundit në Shqipëri nuk përbëjnë asnjë model zhvillimi të qëndrueshëm as në afatmesëm e as në afatgjatë, sepse shohim që po ngadalësohen.