Ballina Kulturë Filmi “Luna Park”, përfaqësues i Shqipërisë për “Oscar” 2026!

Filmi “Luna Park”, përfaqësues i Shqipërisë për “Oscar” 2026!

37
0

Ky është filmi i 18 që Shqipëria dërgon në këtë garë prestigjioze, por ende pa një nominim. Ceremonia e 98 e ndarjes së çmimeve “Oscar” do të mbahet më 15 mars 2026 në Teatrin Dolby në Los Angeles. Me një tematikë të fuqishme dhe një histori që pasqyron Shqipërinë post-komuniste, “Luna Park” mund të jetë filmi që ndryshon këtë trend. Filmi tregon historinë e një nëne dhe djali të saj që përballen me dhunën dhe kaosin që shpërthen në vend, pas periudhës së komunizmit.

Aktorët Adriana Matoshi dhe Orion Jolidashi kanë sjellë performanca të fuqishme në këtë dramë sociale. Pas premierës në Festivalin e Filmit në Selanik, filmi është shfaqur edhe në Goa dhe Sofia, duke marrë vëmendje për cilësinë dhe tematikën e tij. Për Shqipërinë, “Luna Park” është një mundësi e re për të depërtuar më thellë në industrinë ndërkombëtare të filmit, pas disa tentativave të dështuar për të arritur një nominim. Regjisori Papas, i njohur për filmin e tij të mëparshëm “Open Door”, ka vazhduar të sjellë histori që pasqyrojnë realitetin shqiptar, duke u bërë kështu një emër i njohur në festivalet ndërkombëtare.

NGJARJET E FILMIT

Ngjarjet e filmit janë të vendosura në vitin e trazuar 1997, një periudhë e mbushur me sfida dhe pasiguri. Protagonistja, Mira, një nënë e vetme e interpretuar nga Adriana Matoshi, përpiqet të përballojë vështirësitë ekonomike dhe ndikimin e firmave piramidale, ndërsa djali i saj, Toni (luajtur nga Orion Jolldashi), është pjesë e kësaj udhe të vështirë. Mira krijon një lidhje me drejtorin e një prej firmave piramidale, roli i të cilit luhet nga Nik Xhelilaj, ndërsa një park lojërash bëhet simboli i shpresës së fundit në mes të kaosit. Filmi është një bashkëpunim mes ON Film Production dhe prodhuesve të tjerë ndërkombëtarë si Atalante Productions, Lupin Film, Studio Corcus dhe Buka Production.

Pjesëmarrja në këtë festival prestigjioz, që njihet për prezantimin e emrave të mëdhenj të kinematografisë botërore, është një arritje e madhe për ekipin e filmit. Pjesa tjetër e ekipit është si në vijim: skenari: Florenc Papas, Glykeria Patramani; Kinematografi: Simos Sarketzis, redaktori: Federica Forcesi; dizajni: Durim Neziri; Kostumografia: Stela Laknori; Muzika: Mater Merlic; producent: Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riçardo Neri, Fatmir Spahiu; Produksioni: On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus, Buka Production.