Ministria e Financave ka nxjerrë Udhëzimin Nr. 22, datë 15 shtator 2025, që përcakton metodologjinë e përgatitjes së studimit të plotë dhe të thjeshtuar të fizibilitetit për projektet e investimeve publike. Ky dokument është një hap i rëndësishëm për të garantuar transparencë, cilësi dhe standarde të qarta në procesin e planifikimit të projekteve me financim nga buxheti i shtetit.
Sipas udhëzimit të firmosur nga ministri Petrit Malaj, çdo projekt që tejkalon pragun financiar të përcaktuar nga Ministria e Financave duhet të shoqërohet me një Studim të Plotë të Fizibilitetit, i strukturuar sipas metodologjisë së detajuar në shtojcën përkatëse. Projektet me kosto më të ulët do të shoqërohen me një Studim të Thjeshtuar të Fizibilitetit, i cili mbetet kusht i domosdoshëm për t’u futur në procesin e buxhetimit.
Ky udhëzim ngarkon institucionet propozuese me përgjegjësi të plotë mbi cilësinë e dokumenteve të fizibilitetit, duke lënë hapësirë që ato të argumentojnë seksione të paaplikueshme ose të përfshijnë elemente shtesë kur këtë e kërkojnë donatorët apo financuesit ndërkombëtarë. Dokumentet duhet të përgatiten në gjuhën shqipe dhe në përputhje me normat teknike.
Përmes këtij standardizimi, pritet që projektet publike të kalojnë në analizë më të thellë financiare dhe teknike; sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie më të lartë; përputhen me kërkesat ndërkombëtare për financime; diferencojnë qartësisht mes projekteve të mëdha dhe të vogla, duke shmangur barrën burokratike aty ku nuk është e nevojshme.
Ky udhëzim i ri vjen vetëm pak kohë pas ndryshimeve në VKM nr. 887, datë 27.12.2022, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”. Në fillim të vitit 2024, qeveria bëri ndryshime në këtë vendim, të cilat u pasqyruan edhe nga ekofin.al, ku u theksua se një pjesë e procedurave ishin zbutur dhe se detyrimi i studimit të fizibilitetit për disa projekte ishte hequr ose zëvendësuar me procedura më fleksibël.
Ky hap u shoqërua me kritika nga ekspertët, të cilët e panë si një rrezik për cilësinë e projekteve publike. Udhëzimi i ri, i cili hyri në fuqi sot me botimin në Fletoren Zyrtare, u miratua në linjë me vendimin e fundit të Qeverisë sa i përket procedurave të menaxhimit të investimeve publike.