Sipas programit të qeverisë “Rama 4”, i cili parashikon rritjen e pagës minimale nga janari i vitit që vjen, pritet që të ndryshojë edhe paga nga papunësia në 25 mijë lekë nga 20 mijë që është aktualisht.
“Është një lajm i mirë për të gjithë ata persona që ndodhen në situatën e papunësisë. Është një ndihmë mujore në vlerën 50 për qind të pagës minimale në nivel vendi. Sot është 200 mijë lekë të vjetër dhe pas 1 janarit 2026 do të bëhet 250 mijë lekë të vjetër,” tregon avokatja Elona Berki.
Por cilat janë kriteret dhe kush përfiton pagën nga papunësia?
“Personat që përfitojnë të ardhura nga papunësia janë ata që arrijnë të aplikojnë brenda 60 ditëve duke bërë një kërkesë në zyrën e punës apo në e-Albania. [Personi] nuk duhet të ketë ikur me dëshirë, por duhet të jetë hequr për arsye të brendshme të institucionit apo të biznesit. Kjo duhet të reflektohet nëpërmjet njoftimit apo urdhrit të largimit nga puna, dhe në librezën e punës të jetë e shkruar arsyeja e shkarkimit. Minimalisht duhet të ketë 12 muaj kontribute, jo të gjitha bashkë, në kohë të ndryshme, por të jenë derdhur minimalisht 12 kontribute,” thotë avokatja.
Koha maksimale e përfitimit të pagës si i papunë është 12 muaj.