Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se Erion Veliajt po i kërkohet të mos shkojë në Kushtetuese për shkarkimin nga detyra në këmbim të daljes nga burgu.
Deklaratën ai e bëri gjatë një konferencë shtyp teksa u pyet për vendimin e Qeverisë të marrë ditën e sotme.
“Unë jam këtu për tu thënë të vërtetën shqiptarëve për ato që ndodhin. Ju përmendët një mbledhje të Këshillit të Ministriave. A e dini ju se çfarë po bëhet. Unë kam denoncuar arrestimin e Gjushit me qëllimin e vetëm, për ta futur në qeli me Erion Veliajn. Çfarë po ndodh? Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të dalë nga burgu, të ndiqet i lirë dhe të ketë lehtësira. Ky është misioni i Gjushit, që është një urith. E kuptoni vetë ju. Tani vijmë tek mbledhja? Cili është varianti. Varianti është antikushtetues. Çfarë ka ndërmend tu thotë Edi Rama sot shqiptarëve. Nuk e shkarkova unë, thotë. Noterizova vendimin. Por kurrë, kurrë fuqia ekzekutive nuk është noterizuese. Kurrë”, tha Berisha.
Sipas tij “Fuqia e ekzekutivit është fuqi ekzekutivi. Ndaj dhe quhet ekzekutiv. Por si hipokrit dhe të mos përdor më epitete të tjera, kërkon tani të thotë se, unë po noterizoj vendimin e këshilltarëve, në mënyrë që, e rren mendja, që Erion Veliaj të mund të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese. A e kuptoni ju tani këtë. A mund të ja thoni ju mediave tani këtë. Ai pikërisht ka përhapur në media fjalën se, unë vetëm po noterizoj, por gjen këshilltarë të çdo lloj ngjyre që mund të thonë çdo gjë, siç ju thotë ai. Ju i patë këshilltarët e bashkisë. E kam dëgjuar këto ditë ti quajnë skllevër. Jo more, e fyeni skllavin, po të krahasosh këshilltarin bashkiak të PS-së me skllavin. Nuk kishte shpërfytyrim njerëzor më të madh”.