Ballina Bota Takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Erdogani është shumë i respektuar nga...

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Erdogani është shumë i respektuar nga Putin dhe Zelensky, mund t’i ulë bashkë

19
0

Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti këtë të enjte homologun turk Recep Tayyip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy liderët po zhvillojnë bisedime.

Presidenti amerikan e nisi duke thënë se është një “kënaqësi” të presë homologun e tij turk. Ai shtoi se do të diskutojnë për tregtinë dhe avionët ushtarakë, duke theksuar se kanë pasur një marrëdhënie shumë të mirë prej kohësh.

Më tej, Trump tha se do të donte që Erdogan të ndalonte blerjen e naftës nga Rusia, duke theksuar se lufta ka kushtuar “miliona jetë”. “Dhe për çfarë? E turpshme”, tha Trump. Ai shtoi se “është për të ardhur keq” ajo që po bën Rusia dhe se Putini “duhet të ndalojë”.

I pyetur se si mund të ndihmojë Erdogan për të sjellë Putinin dhe Zelenskyn në tryezën e negociatave, presidenti amerikan tha se lideri turk është “shumë i respektuar nga të dy” dhe mund të ketë “ndikim të madh” nëse dëshiron, edhe pse aktualisht është “shumë neutral”.

Gjërat më të mira që mund të bëjë, sipas Trump, janë të mos blejë naftë dhe gaz nga Rusia.

“Ai e njeh Putinin ashtu siç e njoh unë”, shtoi Trump, duke përsëritur pretendimin e tij të zakonshëm se ka zgjidhur disa luftëra, por se “mendonte që kjo do të ishte ndër më të lehtat për t’u zgjidhur”.

Trump shtoi gjithashtu se ai dhe Erdogan do të zhvillojnë diskutime dhe “do të bëjnë disa marrëveshje të shkëlqyera tregtare për të dy vendet”.

Erdogan nga ana e tij tha se është “shumë i kënaqur” që ndodhet në Shtëpinë e Bardhë dhe se është i lumtur që vizita e tij përkon me Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të OKB-së, të cilën ai dhe Trump e ndoqën më herët gjatë javës.

Duke folur në turqisht, Erdogan tha se ai dhe Trump mund të “çojnë marrëdhëniet Turqi-SHBA në një nivel tjetër”. Ai shtoi se të dy liderët kanë mundësinë të diskutojnë avionët F-35 dhe F-16 gjatë këtij takimi.

“SHBA-të mund t’i heqin sanksionet ndaj Turqisë pothuajse menjëherë”

“Sanksionet ndaj Turqisë? Mund të ndodhë shumë shpejt. Nëse kemi një takim të mirë, pothuajse menjëherë”, tha presidenti Trump, kur u pyet nga një gazetar për heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë.

Ai vendosi sanksione ndaj Turqisë në vitin 2020 për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400. Heqja e tyre mund të hapë rrugën që Ankaraja të blejë avionët luftarakë të avancuar F-35 të Lockheed Martin, për të cilët ishte si blerëse ashtu edhe prodhuese, derisa u përjashtua për shkak të S-400, si dhe pajisje të tjera ushtarake.

“Do të diskutojmë për sistemin Patriot, që është sistemi më i mirë”, tha Trump.

“Marrëveshja për armëpushim në Gaza është afër, por duhet të takohem me Izraelin”

Trump foli për një takim që kishte zhvilluar me liderët e Lindjes së Mesme në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Pata një takim të shkëlqyer me liderët e asaj zone, të atij rajoni. Në përgjithësi, Lindja e Mesme. Pata një takim të shkëlqyer para disa ditësh në OKB, siç e dini, dhe mendoj se jemi afër arritjes së një lloj marrëveshjeje”, tha ai.

Megjithatë, ai theksoi se duhet të takohet me Izraelin.

“Duhet të takohem me Izraelin, dhe duhet ta bëj edhe këtë. Ata e dinë çfarë dua, dhe mendojmë, mendoj se mund ta realizojmë. Shpresoj që ta realizojmë. Shumë njerëz po vdesin, por ne duam të kthejmë pengjet.”