Nga Ergys Mërtiri
Një video e publikuar nga portali “Alfapress.al”, tregonte Olsi Ramën duke drekuar në një shtëpi në një fshat të Kukësit, me deputetin e PD-së Arjan Ndoja dhe persona të tjerë, disa prej të cilëve pjestarë të krimit të organizuar, siç është dhe ai i troplinëve.
Ndaj videos reagoi vete z. Ndoja, i cili sqaroi se ajo ishte bërë katër vjet më parë dhe nuk ishte organizuar prej tij, por ai kishte marrë pjesë, duke iu përgjigjur ftesës, pa u shqetësuar për të ftuarit, nisur nga ato që ai i quan “tradita të mira” të shqiptarit, siç është nderi dhe mikpritja.
Në fakt, fillimisht duhet të sqarojmë një keqkuptim mbi traditen, nderin dhe mikpritjen.
Nuk është hiç traditë e shqiptarit dhe aq me pak, e mirë, e nuk është hiç nder me e ul mikun në një sofër, me pjestare grupesh kriminale. E nga kjo pikëpamje, nuk është fare detyrim zakonor, me iu përgjigj ftesës për të drekuar, me njerëz të dyshimtë, apo edhe me vellanë e kryeministrit, për të cilin z. Ndoja, besoj që mendon se është kreu i një shteti të kapur, i cili bashkëpunon me banditë e trafikantë. Nga ana tjetër, aq më tepër si prokuror, z. Ndoja ka detyrimin minimal për etikë pune, t’iu qëndrojë ku drekohet me njerëz për të cilët shteti të ka vendosur në detyrë me i gjurmu, për ti futur në burg e jo me nda sofrën.
Gjithsesi, ky është problem personal i z. Ndoja. Problemi më i madh këtu është heshtja e mediave, të cilat nuk morën aspak mundimin ta zbardhin dhe referojnë kete lajm dhe aq me tepër heshtja e opozitës, e cila çirret e ulëret çdo ditë për lidhjet e Ramës me krimin, edhe kur nuk ka asnjë fakt, ndërkohë hesht e ul kokën, kur faktet dalin me video. Për çudi, qytetari dixhital i Berishës, kishte marre virus këto ditë dhe u bë memec ndaj një fakti që mund të trondisë opinionin.
Videoja ka nevojë të zbardhet dhe të sqarohet per publikun. Heshtja ndaj saj tregon për kompromentimin e të gjitha hallkave të shoqërisë, duke treguar për një sistem ku rojet dhe hajdutët janë bashkë në një aleancë të fshehtë dhe të ndyrë, kundër vendit dhe qytetarëve.