Ballina Opinion ‘Ata që na rritën, i lamë në vetmi’/ Braktisja e të moshuarve,...

‘Ata që na rritën, i lamë në vetmi’/ Braktisja e të moshuarve, drama që nuk e kap kamera

0
22

Nga Bes Kallaku

Mirëmbrëma. I keni parë lajmet? Sa krime kishte sot?

E dini cili mungoi? Krimi që e bëjmë përditë, atë nuk e merr kamera, nuk del në lajme, nuk e shkruajnë me titra poshtë ekraneve: Braktisja e Pleqve.

Gjyshërit tanë – ata që i kanë mbijetuar komunizmit, varfërisë, edhe vitit ’97 – po humbin betejën e vetme që s’kanë ditur kurrë si ta luftojnë: braktisjen. Kur na pyesin si e ke “plakën”, i numërojmë sëmundjet: ka tension, artrit, parkinson… dhe nuk e kuptuam kurrë që sëmundja më e madhe e të gjithë prindërve tanë të moshuar është “vetmia”.

Kërcitëm e ikën në Gjermani, Itali e Amerikë, e i lamë pas në hallin e vet. Fillimisht, tentuam t’i gënjejmë me Skype – Një herë në javë: “Hap Skypen, po të shoh, shihe sa të është rritur nipi, mirupafshim”. Pastaj Skype u mbyll. U hap ChatGPT-ja. Një ditë t’i themi ChatGPT-së: “Shkruaj një mesazh për plakun që kam lënë në fshat, se s’kam kohë”.

Shqiptari i sotëm e ka braktisur sistemin e tre brezave nën një çati. Sot i duam shërbimet e gjyshërve – po pa gjyshërit vërdallë. Ju, sikurse edhe mua, gjyshja na ka rritur me përralla. Fëmijët tanë po rriten me celular në dorë, se gjyshin e kemi zëvendësuar me aplikacione në smartphone. Ky fëmijë nesër do bëhet ai burri 50-vjeçar, që do na plasë dhe ne në një azil për pleq.

Dhe të mos bëhemi karagjozë me këtë punën e të qenit politikisht korrekt, jo po duhet t’i quajmë “të moshuar”, jo po ofendohen po t’u themi “pleq”. Thirrini si të doni, po mos i plasni në azile.

Azilet e Pleqve…

Ç’është e vërteta, përpiqemi të gjejmë azilet më të shtrenjta, nuk i kursejmë lekët, duam të qetësojmë ndërgjegjen. Sado të bukura të duken këto azilet – që për të mos u ndjerë keq, i quajmë “shtëpitë e të moshuarve” apo “shtëpitë e pritjes”, për ta janë thjesht burgje luksoze. Burgje me çarçafë të pastër. Burgje ku fëmijët shfaqen për vizitë vetëm një herë në gusht dhe një herë për Vit të Ri, kur vijnë për pushime në Shqipëri.

Dhe kur gjyshërit na ikin, kujtohemi të bëjmë një postim prekës në Facebook. Po për ty, kush do postojë? Se ky brez i rritur pa gjyshër, i rritur me YouTube e Minecraft, kur të vijë radha jonë do e zgjidhë thjesht siç bën kur fshin një aplikacion.

Gjyshërit tanë i kanë mbijetuar gjithçkaje. Por jo neve. Jo braktisjes sonë. Dhe ky është dënimi më i rëndë që mund t’u japim.