Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se “gjatë ditëve të fundit” ka pasur shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë që dyshohet se mund të jenë të ardhur nga Serbia. Sipas tij, dronët kanë fluturuar në hapësirën e veriut të vendit.
Gjatë një aktiviteti për shkatërrimin e armëve, Hoxha tha para gazetarëve se tashmë e kanë njoftuar KFOR-in, si përgjegjës i hapësirës ajrore. A2 CNN i është drejtuar me një kërkesë Misionit të NATO-s në Kosovë në lidhje me këto pretendime por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.
Të njëjta deklarata për fluturim të dronëve serbë në Kosovë e dha edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por nuk ka dhënë detaje duke thënë se janë duke u bërë hetime së bashku me KFOR-in.