Ballina Bota Gjobë e majme! Amazon do të paguajë miliona dollarë për të kompensuar...

Gjobë e majme! Amazon do të paguajë miliona dollarë për të kompensuar klientët

42
0

Amazon do të paguajë 2.5 miliardë dollarë pas akuzave të qeverisë amerikane se bëri miliona njerëz që të regjistroheshin si anëtarë Prime dhe më pas vështirësoi anulimin e abonimit.

1.5 miliardë dollarë do t’u kthehen klientëve që u regjistruan në këtë shërbim, sipas marrëveshjes së propozuar, thotë Komisioni Tregtar Federal.

Marrëveshja vjen pak ditë pas nisjes së gjyqit në Seattle. Kjo është një fitore e madhe për Komisionin dhe gjoba më e madhe civile e vendosur prej tyre.

Amazon nuk pohoi apo mohoi akuzat, por tha se “gjithnjë kishte ndjekur ligjin” dhe marrëveshja do t’i mundësonte kompanisë “të ecte përpara”.

Prime është një shërbim që ofron dërgesa falas, akses në filma etj. Qindra milionë njerëz në botë e përdorin këtë shërbim që në SHBA kushton 139 dollarë në vit ose 14.99 dollarë në muaj.

Komisioni shënjestroi praktikat e Amazon si njoftimet gjatë përfundimit të porosisë që u sugjeronin përdoruesve vazhdimisht të regjistroheshin në Prime duke marrë të dhënat e pagesës pa qartësuar plotësisht kushtet apo sesi të refuzohej shërbimi.

Njëkohësisht ata goditën versionin 1-mujor pa pagesë që nuk shprehte qartë se klientët do të regjistroheshin automatikisht në fund të muajit. Sipas agjencisë, kjo shkel ligjin e mbrojtjes së konsumatorit.

Rreth 35 milionë persona në SHBA që janë prekur nga këto praktika gjatë qershorit 2019 dhe qershorit 2025, mund të kompensohen deri në 51 dollarë.

Amazon pranoi që të kompensonte automatikisht klientët që kanë përdorur Prime më pak se tri herë në vit pas regjistrimit. Ata që e kanë përdorur më pak se dhjetë herë në një vit mund të kompensohen, por duhet të paraqesin një deklaratë.

Si pjesë e marrëveshjes, Amazon nuk do të shfaqë më butona që thonë “Jo, nuk dua dërgesë falas” dhe duhet të krijojë një mënyrë të lehtë për anulimin e abonimit në Prime.