Ballina Rajoni Gjykata e Larisës miraton kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Denis Ruçit,...

Gjykata e Larisës miraton kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Denis Ruçit, djali i grevistit të urisë Pano Ruçi: Hetimi paraprak synon analiza ADN-je dhe toksikologjike

14
0

Gjykata e Larisës ka miratuar kërkesën e paraqitur nga Pano Ruçi për zhvarrosjen e trupit të të birit, Denis Ruçi, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor të Tempi-t në Greqi. Vendimi i gjykatës vjen në kuadër të një hetimi paraprak, i cili synon kryerjen e analizave të ADN-së dhe atyre toksikologjike mbi trupin e viktimës.

Ky vendim është rezultat i presionit të vazhdueshëm nga familjarët e viktimave të tragjedisë, të cilët prej muajsh kërkojnë zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes së të afërmve të tyre dhe përgjegjësinë ligjore të personave përgjegjës.

Më 25 shtator, në Gjykatën e Apelit të Larisës, u dorëzua një memorandum plotësues i nënshkruar nga dhjetëra familjarë të viktimave. Në këtë memorandum, që pason një tjetër të dorëzuar më 15 shtator, përfshihej ndër kërkesat kryesore edhe zhvarrosja e trupit të Denis Ruçit, si dhe përmirësimi i akuzave ndaj dy drejtuesve të kompanisë Hellenic Train.Në vijim të këtij procesi, edhe familjarë të tjerë kanë paraqitur kërkesa të ngjashme për zhvarrosjen e trupave të të dashurve të tyre, mes tyre Pavlos Aslanidis për të birin Dimitris më 24 shtator dhe Maria Karystianou për vajzën Martha më 25 shtator.

Pas vendimit të gjykatës, Pano Ruçi reagoi publikisht, duke theksuar se kjo masë nuk është qëllimi i tij kryesor, por një hap i domosdoshëm për të arritur në zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Kjo nuk është ajo që dua,” deklaroi ai, duke shtuar se do të vazhdojë grevën e urisë që ka nisur prej ditësh.

Në një prononcim për televizionin OPEN, nga monumenti i Ushtarit të Panjohur, Ruçi theksoi se nuk e kërkon zhvarrosjen vetëm për identifikim, por edhe për të siguruar kryerjen e analizave toksikologjike dhe të gjitha procedurave të nevojshme administrative, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të shkaqeve të vdekjes së të birit.