Ballina Kuriozitete Homo sapiens, një milion vjeçar – Zbulohet kafka, analizat vërtetojnë vjetërsinë

Homo sapiens, një milion vjeçar – Zbulohet kafka, analizat vërtetojnë vjetërsinë

33
0

Një kafkë e gjetur në Kinë, rreth 1 milion vjeçare, ka tronditur botën shkencore duke sugjeruar se njerëzit modernë (Homo sapiens) mund të kenë filluar të shfaqen gjysmë milioni vjet më herët nga sa besohej deri tani.

Zbulimi, i publikuar në revistën prestigjioze Science, u bë në provincën Hubei dhe përfshiu analizën e një kafke të njohur si Yunxian 2. Fillimisht mendohej se i përkiste Homo erectus, por pas rindërtimit me metoda kompjuterike dhe krahasimit gjenetik, studiuesit arritën në përfundimin se kafkat i përkisnin një grupi më të avancuar – të ngjashëm me Homo longi, një specie “motër” e Homo sapiens dhe Neandertalëve.

Sipas prof. Xijun Ni nga Universiteti Fudan dhe prof. Chris Stringer nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër, ky zbulim tregon se njerëzit modernë, Neandertalët dhe Homo longi mund të kenë bashkëjetuar për afro 800,000 vjet, shumë më gjatë nga sa është menduar. Kjo gjithashtu shpjegon mbetjet fosile të vjetra 800,000 – 100,000 vjeçare që deri më sot kanë qenë të vështira për t’u klasifikuar.

“Evolucioni i njeriut është si një pemë me disa degë kryesore që shpesh janë ndërthurur. Ky zbulim tregon se tre prej këtyre degëve kanë bashkëjetuar dhe ndoshta janë kryqëzuar për rreth një milion vjet,” tha prof. Ni.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë të bindur. Dr. Aylwyn Scally nga Universiteti i Kembrixhit paralajmëron se datimet janë ende të pasigurta dhe duhen më shumë prova, sidomos gjenetike, për ta konfirmuar plotësisht.

Nëse teoria vërtetohet, ajo mund të ndryshojë rrënjësisht kapitullin e hershëm të historisë sonë, duke sugjeruar se gjurmët më të hershme të Homo sapiens mund të gjenden jo vetëm në Afrikë, por edhe në Azi.