Ballina Ekonomia Kreditë të përballueshme për xhepin e shqiptarëve, BSH: Aftësia paguese e familjeve...

Kreditë të përballueshme për xhepin e shqiptarëve, BSH: Aftësia paguese e familjeve është përmirësuar

36
0

Familjet shqiptare nuk ndeshin vështirësi në shlyerjen e kredisë së tyre. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, aftësia paguese e familjeve kredimarrëse rezulton të jetë përmirësuar në gjysmën e parë të këtij viti, ndërsa janë gjithashtu optimistë mbi përballueshmërinë e borxhit në vijim.

Në përgjithësi, pesha e familjeve që kanë një hua për të paguar rezulton të ketë rënë. Nga familjet e vrojtuara prej Bankës Qendrore, vetëm 17% e tyre ishin në proces shlyerje të kësteve.

Kredia zë më pak se 30% të të ardhurave të tyre mujore në shumicën e familjeve. Në të njëjtën kohë, pesha e familjeve për të cilat pagesa e huasë tejkalon 30% të të ardhurave ka shënuar rënie dhe kjo tregon një zbutje të ngarkesës së huasë.

Por, a pritet të kemi një kërkesë më të lartë për kredi nga familjet deri në fund të këtij viti?

Në fakt, familjet presin ftohje të kërkesës së tyre për kredi deri në fund të këtij viti. Rreth 64% e tyre kanë deklaruar se nuk presin të marrin hua të re.

Me bizneset ka ndodhur thuajse e njëjta gjë. Pesha e ndërmarrjeve që kanë hua për të paguar ka rënë, ku vetëm 33% e ndërmarrjeve shprehen se kanë aktualisht hua për të paguar.

Raporti i pagesës së huasë ndaj të ardhurave vlerësohet në rënie për pjesën më të madhe të ndërmarrjeve, krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm. Për 81% të bizneseve, vlera totale e huasë është afërsisht sa gjysma e kapitalit të tyre.

Bizneset presin që kërkesa e tyre për kredi të mbetet pozitive, por duke u ngadalësuar deri në fund të vitit 2025.