Kryetari i njësisë administrative Ishëm Kadri Gjyli, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Lajmin e ka bërë vetë Gjyli të ditur nëpërmjet një statusi në rrjete sociale ku falënderon të gjithë banorët e zonës, kolegët e bashkëpunëtorët për gjatë gjithë mandatit që i ka shërbyer Ishmit.
Sakaq, në vend të tij është emëruar Emirian Bafti, gjithashtu pjesë e strukturave të Bashkisë së Durrësit.
“Të nderuar banorë të Njësisë Administrative Ishëm! Nga sot nuk do të jem më Administrator i kësaj Njesie! Shumë mirënjohje dhe rrespekt për këdo që pata rastin të punoj dhe bashkëpunoj sidomos në 2 periudhat më të vështira që kaloi Ishmi, termetin e Nëntorit 2019 dhe periudha e pandemisë covid19 ,ku besoj që ja dolëm me sukses. Ndjesë për këdo që padashur mund ta kem lënduar dhe shumë rrespekt per te gjithë banorët që për 21 vite në Ishëm pata mundësinë ti shërbej dhe ti njoh nga afër. Gjithashtu i uroj punë të mbarë Administratorit te ri Emirian Bafti, me të cilin kemi punuar dhe kaluar sëbashku të gjitha vështirësitë e lartëpermendura, dhe jam i bindur që Emirjani ka ekperiencën e duhur për ta manaxhuar dhe drejtuar më së miri Njesinë Administrative Ishëm. Faleminderit!”, shkruan Kadri Gjyli në rrjete sociale.
Ndërkohë ditën e djeshme, kanë dorëzuar dorëheqjen pranë kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe 4 krerët e njësive administrative Sukth, Manëz, Rrashbull dhe Katund i Ri. Dorëheqjet e tyre janë firmosur nga kryetarja e bashkisë ndërsa këto dorëheqje janë pjesë e valës së shkarkimeve nga veriu në jug si pjesë e reformimit në total të strukturave vendore.