Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot të dhënat e Anketës së Produkteve Industriale (PRODCOM), e cila përpilohet çdo vit mbi bazën e Listës së Produkteve Industriale të BE-së dhe mbulon ndërmarrjet e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese në vend. Qëllimi i vrojtimit është të japë informacion të detajuar mbi prodhimin dhe shitjet e produkteve kryesore industriale, duke ofruar një panoramë të qartë për sektorët bazë të ekonomisë shqiptare.
Të dhënat tregojnë një rënie të ndjeshme të prodhimit të naftës bruto, i cili arriti në 716 mijë tonë gjatë vitit 2024, nga 891 mijë tonë në vitin 2023. Për rrjedhojë, edhe vlera e shitjeve të këtij produkti ra në 29,9 miliardë lekë nga 39,2 miliardë lekë vitin e kaluar.
Një tjetër rënie e fortë u shënua në prodhimin e hekurit bruto dhe çelikut, që zbriti në 343 mijë tonë nga 474 mijë tonë në 2023, me vlerën e shitjeve që ra në 20,2 miliardë lekë. Po ashtu, prodhimi i kromit pësoi tkurrje, duke zbritur në 588 mijë tonë nga mbi 822 mijë tonë një vit më parë. Vlera e shitjeve të këtij produkti u vlerësua në 14,9 miliardë lekë, kundrejt mbi 20 miliardëve në 2023.
Industria e materialeve të ndërtimit paraqiti rezultate më të qëndrueshme. Prodhimi i çimentos arriti në afro 1,94 milionë tonë, një ulje e lehtë nga viti 2023, ndërsa vlera e shitjeve mbeti pothuajse e pandryshuar në 19,2 miliardë lekë. Ndërkohë, betoni i gatshëm regjistroi prodhim prej 1,7 milionë tonësh, me vlerë shitjesh mbi 13 miliardë lekë.
Një zhvillim pozitiv vërehet në industrinë ushqimore dhe të pijeve. Prodhimi i ujit mineral dhe të gazuar arriti në gati 5 milionë hektolitra gjatë vitit 2024, nga 3,8 milionë në 2023. Vlera e shitjeve u rrit në 8,3 miliardë lekë, nga 6,3 miliardë vitin e kaluar. Po ashtu, prodhimi i pijeve joalkoolike shënoi rritje, duke arritur mbi 1,23 milionë hektolitra dhe me vlerë shitjesh 7,4 miliardë lekë.
Në segmentin ushqimor, prodhimi i salçiçeve dhe produkteve të ngjashme me mish u rrit lehtë në 13 mijë tonë, duke sjellë një rritje të vogël edhe në vlerë, që arriti 9,2 miliardë lekë.
Një tjetër sektor që tregoi tendencë pozitive ishte ai i sistemeve të fijeve elektrike të izoluara për automjete, ku prodhimi u rrit nga 229 milionë në 241 milionë copë. Vlera e shitjeve arriti 8,7 miliardë lekë, nga 8,2 miliardë në vitin 2023.
Sipas INSTAT, për vitin 2024, industria e përpunimit të ushqimeve përbënte 14% të vlerës së shitjeve gjithsej të produkteve industriale, në rritje nga 12,4% në 2023, produktet minerale jo metalike zënë 13,2% të shitjeve, gjithashtu në rritje nga 12,5% një vit më parë, ndërsa metalurgjia, përkundrazi, shënoi rënie, duke zënë 12,4% nga 13,4% e një viti më parë.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë një vit me tkurrje të fortë në naftë, krom dhe hekur, por me rritje të dukshme në industrinë e ushqimeve dhe pijeve, si dhe stabilitet në ndërtim. Këto rezultate sugjerojnë një zhvendosje të strukturës industriale, ku pesha e sektorëve tradicionalë të nxjerrjes po zëvendësohet pjesërisht nga rritja në sektorët e konsumit ushqimor dhe përpunues. /ekofin.al