Ndërsa në Tiranë mbizotëron heshtja për ndërtimet shumëkatëshe që dyshohet se financohen nga para të ardhura nga narkotrafiku, në Shkodër ka nisur një reagim i fortë qytetar dhe institucional ndaj një projekti të qeverisë dhe bashkisë për ndërtimin e një kulle në zemër të qytetit.
Komuniteti Mysliman i Shkodrës, përmes myftiut Muhamed Sytari, ka dalë kundër projektit, duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe të ndërtuar mbi një pronë të grabitur. Në faljen e së premtes, Sytari publikoi dokumente historike që sipas tij dëshmojnë pronësinë e Myftinisë së Shkodrës mbi truallin ku parashikohet të ndërtohet kulla.
“Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi pronën tonë me projekte që cenojnë historinë, identitetin dhe të drejtën e Zotit mbi këtë tokë,” u shpreh Sytari. Ai lëshoi edhe një paralajmërim të fortë për autoritetet dhe investitorët që po shtyjnë përpara ndërtimin, duke thënë se nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë një padrejtësie të tillë.
Zona ku parashikohet të ndërtohet kulla është objekt mosmarrëveshjesh prej më shumë se dy dekadash, me pretendime pronësie nga Myftinia e Shkodrës, Kisha Ortodokse dhe familja Laçaj. Proceset gjyqësore janë ende në vijim.
Reagimi i Komunitetit Mysliman vjen pas zërave të ngritur nga arkitektë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në Shkodër, të cilët e kanë kundërshtuar fort projektin, duke e konsideruar një tjetër sulm ndaj trashëgimisë urbane dhe historike të qytetit.
Ndërkohë, nga institucionet qendrore dhe bashkia e Tiranës nuk ka ende asnjë reagim zyrtar për akuzat dhe dyshimet që lidhen me financimin e kullave, as për kundërshtimet që vijnë nga Shkodra.